Engel: MCC-ja nuk është dashur t'i pezullojë asnjëherë fondet për Kosovën

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së, Eliot Engel, ka reaguar pasi Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit – MCC i zhbllokoi fondet për Kosovën.

Engel ka thënë se këto fonde nuk do të duhej asnjëherë të pezulloheshin.

“Më vjen mirë që MCC po rifillon punën në Kosovë. Në radhë të parë, asnjëherë nuk duhej të ishte pezulluar. Kosova i plotësoi standardet e vështira të MCC-së. Ngrirja e fondeve të MCC-të për të detyruar Kosovën për ndryshimin e politikave ishte kundër asaj që MCC do të duhej të ishte”, ka thënë Engel.

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit në mars 2020 kishte pezulluar implementimin e disa projekteve të financuara nga ShBA-ja në Kosovë.

Kjo ishte bërë për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës në atë kohë që ta  largojë në mënyrë të menjëhershme tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Por Qeveria Kurti muaj më pas kishte hequr tarifën dhe kishte vendosur masa reciprociteti ndaj Serbisë.

Ndërsa, Qeveria e re, e drejtuar nga Avdullah Hoti, në mbledhjen që është mbajtur dje, ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke hequr pengesat e dialogut. Ne presim të njëjtën gjë nga pala serbe që t’i hiqen pengesat, e të vazhdojmë tutje”, ka deklaruar kryeministri Hoti.

Këtë vendim e kanë përshëndetur ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Sot, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit – MCC.