Albin Kurti, Gabriel Escobar - Foto: ZKM

Emisari amerikan Gabriel Escobar sot takohet me kryeministrin Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të pres në takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimi pritet të zhvillohet në ora 15:30, ndërkaq sipas agjendës, nuk është paralajmëruar deklarim për media.

Escobar po zhvillon një vizitë dyditore në Kosovë, për të diskutuar mbi çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan është takuar me presidenten Vjosa Osmani më 13.03.2024.

Duke folur për atë se çka u diskutua në takim, Escobar e ka quajtur vendim të rëndësishëm atë të Qeverisë kosovare për të urdhëruar Agjencinë Kadastrale që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses.

“Vendimi i sotëm për Manastirin, sa ishte i vështirë është edhe i rëndësishëm, dhe i falënderoj institucionet për këtë hap” – nisi fjalën e tij Escobar në konferencën e përbashkët për media.

Para nisjes në Kosovë, në një konferencë online, zyrtari amerikan e ka quajtur vendim “katastrofal” dhe “jo kompetent”, rregulloren e BQK-së.

“Pra neve na duhet që Kosova të punojë me komunitetin ndërkombëtar të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për këtë, do thosha, vendim katastrofal madje edhe vendim jokompetent i zbatimit të një vendimi që ka shkaktuar kaos në ekonominë e Kosovës”- ka vlerësuar Escobar.

Në anën tjetër, delegacioni i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) më 27.02.2024  kishte zhvilluar takim edhe me delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë.

BQK lajmëroi që në këtë takim trepalësh, brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura prej saj si dhe argumentoi mundësitë dhe lehtësitë e realizimit të tyre në praktikë nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese.

Pas takimit në Bruksel të delegacioneve nga Kosova dhe Serbia lidhur me çështjen e dinarit, Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar që diskutimet mes palëve të vazhdojnë me urgjencë.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- thanë nga Departmenti i Shtetit për KALLXO.com.

DASH ka mirëpritur bisedimet u zhvilluan më 27.02.2024 në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë dhe rrjedhimisht e kufizon importin dhe përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjet si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë që të de-përshkallëzojnë tensionet dhe të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht në përpjekjet për të arritur marrëdhënie paqësore dhe produktive në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.