Emisarët e Gjermanisë dhe Sllovenisë vizitojnë pikën kufitare në Jarinje

Ambasadorja sllovene në Kosovë, Minca Benedejçiq së bashku me emisarin e Gjermanisë, Manuel Sarrazin dhe emisarin e Sllovenisë, Anžej Frangeš kanë vizituar pikën kufitare në Jarinje.

Përmes një postimi në Twitter, ambasadorja sllovene në Kosovë, Minca Benedejçiq ka thënë, “Në pikë kalimin kufitar Jarinje në veri të Kosovës me të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor Anžej Frangeš dhe Manuel Sarrazin”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje është takuar me emisarët e Gjermanisë dhe Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Anzej Franges.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar për të diskutuar për situatën në vend, raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Procesin e Berlinit si dhe çështje të tjera aktuale.

“Kryeministri Kurti u shpreh se vendimi dhe veprimet e qeverisë janë në shërbim të sundimit të ligjit dhe marrin parasysh brengat e partnerëve ndërkombëtarë për sigurinë dhe paqen. Ndërkaq sa i përket bojkotit të institucioneve nga Lista Serbe, tha se është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi që ka vazhduar qasjen destruktive në marrëdhëniet me Kosovën dhe se është përpjekje për ta mbuluar mosgatishmërinë për diskutime rreth elementeve të marrëveshjes kornizë që çon drejt normalizimin të plotë të raporteve” – thuhet në njoftim.