Emergjenca flet për gjendjen e dy të lënduarve nga rryma, njëri do transferohet në mjekim intesiv

Ejup Govori, mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka folur rreth gjendjes dy të miturve që janë goditur nga energjia elektrike sot në Prishtinë.

Ai ka bërë të ditur se të miturit janë të moshës 15-vjeçare gjersa ka thënë se gjendja për momentin është stabile edhe se “ata kanë djegie të shkallës së rëndë 2a, 2b dhe në disa pjesë edhe të shkallës së tretë”.

“Njëri prej tyre është pak më lehtë, në shuplakë të duarve dhe është përpunuar plaga nga kirurgu plastik dhe është pranuar në kirurgjinë plastike. Derisa tjetri ka djegie shumë serioze në shuplaka të duarve, në pjesën femurale në gjendje të rëndë që ka shkaku vdekje të qelizave. Si dhe ka edhe djegie në pjesën e djathtë të shpinës. Ky pacient është transferuar në sallën operative dhe do transferohet në mjekim intesiv, pra transferimi në këtë qendër tregon se është gjendje serioze” – ka thënë Govori për KALLXO.com.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se dy të mitur janë goditur nga energjia elektrike sot në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se rreth orës 10:30 kanë pranuar informatën se në rrugën “George Bush” në Prishtinë, dy persona (të mitur) janë goditur nga rryma elektrike.

Ajo ka shtuar se personat janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia në koordinim me institucionet përkatëse po trajton rastin.