Shpërthimi me granat dore në veri. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Elshani për shpërthimin në veri thotë se cak ishin tre persona që po dilnin nga një lokal

Dy persona kanë mbetur të lënduar nga një shpërthim, i cili u regjistrua mbrëmë pak para mesnatës në afërsi të shkollës Teknike në Mitrovicën Veriore.

KALLXO.com ka qëndruar që nga orët e hershme të mëngjesit në vendin e ngjarjes dhe ka parë nga afër edhe vendin ku ndodhi shpërthimi.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani në një intervistë për KALLXO.com ka treguar detaje nga rasti.

Ai përshkroi se fillimisht pak para mesnatës tre persona kanë dalë nga një lokal, i cili gjendet në afërsi të Shkollës Teknike dhe ata dyshohet se ishin caku i shpërthimit.

“Tre persona deri sa kanë dalë nga lokali dhe kanë dashtë të hyjnë në veturë, personi/personat të dyshuar të paidentifikuar ende nga policia kanë hedhur granatën e dorës (M75) në drejtim të personave” – tha Elshani për KALLXO.com.

Ai shtoi se nga tre personat që ishin cak dy nga ta kanë marrë edhe lëndime trupore njëri më rëndë.

Madje, shenja të lëndimeve janë vërejtur edhe nga ekipi i KALLXO.com në njërën nga veturat që janë dëmtuar.

Në njërën nga shtatë veturat e dëmtuara, ekipi ka parë se ka edhe njolla gjaku.

Në veturat që pësuan dëme nga shpërthimi i mbrëmshëm ende janë të vendosur shiritat e PK-së, e edhe shenja të tjera që tregojnë se hetimet janë bërë edhe nga feronzika.

Në anën tjetër Elshani, tha se janë duke hetuar disa pista të cilat do të trajtohen edhe më tutje.

Elshani përmendi se janë disa çështje të cilat do të zbardhen gjatë kohës së hetimeve ndërsa bëri të qartë se rasti nuk ka ndodhur për shkaqe politike por në pyetje janë probleme mes personave që ishin cak i shpërthimit dhe personit apo personave të dyshuar.