Votimet në veri, Elshani: Në këtë proces janë angazhuar numër minimal i policëve

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, thotë se policia është e involvuar në planifikimin e procesit të votimit për apo kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore.

Në pjesën e parë të ditës, sipas tij, nuk është vërejtur ndonjë problem gjatë ecurisë së këtij procesi.

Policia, siç thotë ai, nuk e ka paraparë mundësinë që e diela të jetë një ditë e tensionuar.

“Policia është e involvuar në planifikimin e ditës së referendumit të sotëm, që do të thotë edhe dje edhe sot ne jemi në vazhdimësi në bashkëpunim me KQZ-në. Mirëpo nuk kemi pa ndonjë problem që është duke ndodhur ose nuk kemi paraparë, nuk kemi inteligjencë e informatë nëse ka mundësi sot të jetë një ditë diçka më e tensionuar”- ka deklaruar Elshani.

Por, në rast nevoje, ai thotë se ka mjaftueshëm policë për t’i bërë reagimet e nevojshme.

“Policia me numrin e vet minimal është e angazhuar në këto votime, mirëpo në rast se ka nevojë ne kemi policë të mjaftueshëm që të bëjmë reagimet e nevojshme”- është shprehur Elshani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar që deri në orën 11:00 kanë shfrytëzuar të drejtën e votës 85 persona në të katër komunat veriore, në të cilat po votohet për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.

Sipas të dhënave që KQZ ka pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, rezulton se në Leposaviq kanë votuar deri tani 46 votues, në Zubin Potok 7 dhe në Mitrovicë e Veriut 32 votues.

Ndryshe nga komunat tjera, në pjesën e parë të ditës, saktësisht deri orën 11:00, asnjë person nuk ka votuar në Zveçan.

Nga liderë institucionalë dhe faktorë ndërkombëtarë është bërë thirrje që qytetarët të dalin për të votuar, ndërkohë që Lista Serbe ka bërë thirrje për të kundërtën. Dhe, nëse ky proces dështon, atëherë iniciativë e ngjashme nuk mund të bëhet para 12 muajsh.

Ekipet e KALLXO.com do të raportojnë në kohë reale lidhur me procesin e votimit në këto katër komuna.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.