Elezaj: Kemi pranuar një pistë me punime "shkel e shko"

Demë Elezaj, inxhinier i ndriçimit aeronautik, thotë se kompania “Limak” pranoi punën e kryer “shkel e shko” të zgjerimit të pistës së Aeroportit “Adem Jashari”.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se shumë prej punëve në pistë u kryen nga persona jokompetentë.

“Instalimi i ndriçimit është bërë me njerëz jokompetentë, elektricistë që kanë mirëmbajtur klima, duhet me qenë kompani e specializuar. Për ndriçim janë dhënë mbi 7 milionë euro, Aeroporti ka qenë CAT-2, buxheti për zgjerim të pistës ne CAT-3 ka qenë i mjaftueshëm”, shtoi Elezaj.

“Certifikimi i zgjerimit të pistës ka qenë pjesë e gjithë këtij procesi, që është bërë në dhjetor 2021. Ne kemi pranuar një pistë me punime “shkel e shko”, edhe pse u gjetën shkelje në sistem të ndriçimit e shtrirje të kabllove”, shtoi tutje Elezaj.

Sipas tij, pjesa e meteorologjisë që është kriter për kategorinë e zgjerimit të pistës, nuk është ende në funksion.

“Certifikimi është bërë ende pa u kompletuar puna, pjesa e meteorologjisë nuk është në funksion, këto janë vërejtur edhe nga Autoriteti i Aviacionit Civil, ky i fundit e ka pranuar këtë punë”, ka thënë Elezaj.

Kosova ka ndarë nga buxheti 30 milionë euro për zgjerimin e pistës së Aeroportit “Adem Jashari”.