Ekspozohet në Beograd art i bazuar në ditarin e luftës të Ratko Mlladiqit

Çdo faqe e një ditari të kohës së luftës i mbajtur nga ish-shefi i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, dhe i përdorur si provë kundër tij, u rivizatua nga artisti Vladimir Miladinoviq dhe do të ekspozohet në Beograd.

 

Katërqind faqet e ditarit të luftës të ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiq, të rivizatuara me përpikëri nga artisti serb Vladimir Miladinoviq, do të shfaqen në Beograd të shtunën në një ekspozitë me titull “Ditari”.

“Çdo vizatim është vendosur në kornizë dhe 400 prej tyre vendosen me kujdes në radhë për të krijuar një tërësi monumentale që përfshin muret e të gjithë galerisë”, tha Miladinoviq për BIRN.

“Një nga idetë e kësaj ekspozitë ishte të tregojë të gjithë serinë në një vend, për t’i përballur vizitorët me gjurmë kaq të rëndësishme të së kaluarës, por në të njëjtën kohë me pamundësinë e trajtimit të saj”, shtoi ai.

Vepra e artit bazohet në një ditar të gjetur nga hetuesit pas një muri të rremë në një shtëpi në Beograd në vitin 2010, ku Mlladiq ishte fshehur kur ishte në arrati nga gjykata e Hagës për krime lufte.

Ai u arrestua vitin pasues dhe në nëntor 2017, Gjykata e Hagës e dënoi atë me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenica në vitin 1995, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe pengmarrje të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Apeli i tij kundër dënimit të shkallës së parë do të dëgjohet këtë vit, por është shtyrë së fundmi për herë të dytë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Vladimir Miladinoviq

Ditari i luftës i Mlladiqit u përdor si provë gjatë gjyqit të tij dhe në raste të tjera të dëgjuara në Gjykatën e Hagës. Vepra e artit e Miladinoviqit është bazuar në përkthimin në anglisht të gjykatës.

“Mlladiq e mbajti ditarin e tij çdo ditë, që do të thotë se ai shkroi me dorën e tij detaje të rëndësishme të veprimtarive të tij. Ky dorëshkrim, përveç asaj që është shkruar aty, është gjithashtu domethënës për shkak të mënyrës se si ai i mbajti shënim gjërat. Kur ai ishte i zemëruar ose i hidhëruar, shkrimi i dorës është dukshëm më dramatik, shkronjat bëhen më të mëdha dhe gjurmët e lapsit në letër janë më të thella”, tha Miladinoviq.

Miladinoviq e ka bërë të kaluarën e luftës temë të punës së tij dhe një projekt i mëparshëm i tij u përqendrua te varret masive të shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftës dhe që u rivarrosën përsëri fshehurazi pranë Beogradit.

Ekspozita e tij e fundit po mbahet në galerinë Eugter në Beograd, në partneritet me degën e forumit ZFD në Beograd dhe është e hapur për vizitorët nga e shtuna deri në fund të korrikut.