Çka deklaruan në Gjykatë dy të dyshuarit në rastin e rënies së kulmit nga objekti i Komunës së Prishtinës?

Dy personat e dyshuar nga Prokuroria për rastin e rënies së kulmit nga objekti i ri i Komunës së Prishtinës, ku mbeti e lënduar rëndë një kalimtare e rastit dhe u dëmtuan disa vetura të parkuara, Bekim Baftjaraj nga kompania “NBT ING” SH.P.K. dhe Ylber Jashari, zyrtar i Komunës së Prishtinës, sipas vendimit të Gjykatës së Prishtinës do jenë nën masa të sigurisë për një muaj.

Në shkresat e siguruara nga KALLXO.com, në seancën dëgjimore të mbajtur të mërkurën (24.01.2024) në Gjykatën e Prishtinës, janë deklaruar dy të dyshuarit për rastin e rënies së kulmit nga objekti i Komunës së Prishtinës.

Sipas dosjes së rastit të siguruar nga Kallxo.com Prokuroria pretendon se zyrtari i komunës, i dyshuari Ylber Jashari, ka deklaruar se ka një keqkuptim nga ana e prokurorisë sa i përket mosrealizimit të një pjese të kontratës, ngase ajo është realizuar dhe është funksionale, kurse pjesa tjetër nuk është trajtuar fare pasi që nuk ka qenë pjesë e kontratës.

Ndërkohë mbrojtësi i tij, avokati Sevdali Zejnullahu e ka kundërshtuar masën tashmë të aplikuar nga Gjykata ndaj Ylber Jasharit, përkatësisht masa e ndalimit për të mos ju afruar vendit të caktuar – Komunës si dhe kontaktit me kolegët e punës.

Avokati Zejnullahu sipas shkresave të lëndës që ka siguruar KALLXO, ka thënë se klienti i tij ka vepruar konform autorizimeve dhe kompetencave dhe nuk është në interesin e tij prishja e provave.

Deklaratë ka dhënë edhe i dyshuari tjetër i prokurorisë, Bekim Baftjaraj tashmë në arrest shtëpiak nën dyshimet për veprën penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ndaj të njëjtit prokuroria kishte paraqitur kërkesë edhe për caktimin e masës së paraburgimit e cila u refuzua nga Gjykata e Prishtinës.

Mbrojtësja e të dyshuarit Bekim Baftjaraj, avokatja Besjana Ismajli lidhur me kërkesën e prokurorisë për caktim të paraburgimit ndër të tjera ka deklaruar se “kërkesa e prokurorisë për të caktuar tani masën e paraburgimit rezulton të jetë e ndikuar nga emocionet, nga ndikimi i reagimit të publikut, i një pasoje që natyrisht është e rëndë, por gjithnjë pa fajin e të mbrojturit tim”.

Sipas avokates këto pretendime të prokurorisë nuk janë fare bazë se dikujt duhet t’i caktohet masa e paraburgimit.

Sipas dosjes të rastit thuhet se avokatja Ismajli ka deklaruar që Prokuroria përveç se nuk ka argumentuar kushtin bazë për caktimin e masës së paraburgimit, pra dyshimi i bazuar se i mbrojturi i saj e ka kryer veprën e pretenduar penale.

Avokatja citohet në dosje të ketë thënë se dëshmitarët që prokuroria pretendon t`i sigurojë janë momentalisht imagjinarë.

Tutje në shkresat e siguruara thuhet se avokatja e Bekim Baftjarajt ka kërkuar nga gjykata që të refuzojë kërkesën e prokurorisë për caktimin masës së paraburgimit ngase e njëjta është plotësisht e pa bazuar.

I dyshuari Bekim Baftjaraj është deklaruar se pajtohet me mbrojtjen e dhënë nga avokati dhe ka shtuar se: “Në këtë kompani ka bërë praktikë prej vitit 2015-2016, në dhjetor të vitit 2016 ka diplomuar prej atëherë është duke punuar në kompaninë NBT ING SH.P.K, d.m.th dëmi që është shkaktuar në kulmin e komunës është ndërtuar ne vitin 2009”.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që të mos paraburgoset meqenëse është mbajtës i familjes dhe për shkaqe shëndetësore për çka ka thënë se po merr trajtim.

Gjyqtarja e procedurës paraprake Medie Bytyçi e ka aprovuar të mërkurën masën arrestit shtëpiak në kohëzgjatje për një muaji ndaj të dyshuarit për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm Bekim Baftjaraj dhe gjithashtu masën e ndalimit për të mos iu afruar vendit të caktuar – Komunës si dhe kontaktit me kolegët e punës ndaj të dyshuarit tjetër Ylber Jashari.

Prokuroria kishte parashtruar kërkesë për caktimit të paraburgimit për Bashkim Baftjarajn, e cila i është refuzuar dhe zëvendësuar me masën e lartcekur.

Seanca dëgjimore lidhur me rastin është mbajtur më datë 24 janar 2024 në Gjykatën e Prishtinës.

Prokuroria e Prishtinës kishte bërë të ditur se ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Bekim Bafjarajt, i dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, kurse ndaj zyrtarit të komunës Ylber Jashari është kërkuar masa e ndalimit të afrimit të vendit apo personit.

Këta persona janë të dyshuarit për rastin e rënies së një pjesë të kulmit të objektit të ri të komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” në kryeqytet ku mbeti e lënduar rëndë një 23-vjeçare.

“Departamenti për Krime të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu ofruar vendit të caktuar apo personit të caktuar, ndaj një (1) personi për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një (1) personi për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” – thuhej në përgjigjen e prokurorisë për KALLXO.com.

Një ditë pas ngjarjes, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) kishte publikuar të dhënat për shpejtësinë e erës në kohën kur ndodhi shembja e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës, duke thënë se një forcë e tillë nuk mund të shkaktonte dëme.

Ekskluzive – Për çka dyshohet zyrtari komunal dhe ai i kompanisë për rastin e rënies së kulmit nga objekti i Komunës së Prishtinës?