Elza Ujkani lirohet nga spitali, rrëfen momentin kur i ranë pjesë të kulmit të objektit të Komunës në kokë

Më 18.01.2024 një 23-vjeçare, Elza Ujkani, pësoi lëndime për shkak se i ranë pjesë të kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës në lagjen ‘Arbëria’.

Ujkani përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se është liruar nga spitali pas më shumë se dy muaj trajtimi mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“E hanë, 25 mars… Unë sot po dal… Fillimisht dua ta falenderoj Zotin, që në mesin e shumë njerëzve më zgjodhi mua për ta kaluar këtë rrugëtim, dhe për të më treguar se besimi në të vjen para çdo gjëje”- ka shkruar Ujkani.

Ajo ka rrëfyer momentet e datës 18.01.2024 e edhe vështirësitë që e përcollën gjatë shërimit.

Postimi i plotë i Ujkanit:

Sot po dal…

18 janar e Enjte.

Po shkoja në punë si çdo ditë tjeter, dhe për një moment çuditërisht… një zhurmë që më ndali dëgjimin, një dritë që mi mbylli sytë, një erë që e nuhata me të gjithe qënien time.

Po mundohesha të qëndroja e vetëdijshme, ndërsa ndjeja një errësirë të pakuptueshme që më rrethonte. Ende nuk po e kuptoja se çfarë ka ndodhur! Nuk kisha frikë, vetëm prisja që errësira te largohej…

Nderkohë, pashë veten në duart e Fisnik, të cilin nuk e njihja, vetëm se ai po mundohej me mundësite e tij të ndalonte gjakderdhjen time.

Pas pak… zhurma e ambulances, ato rrotat e shtratit qe po më dërgonin në spital, me dukej se herë pas here po me zgjonin nga gjumi, nga i cili nuk po mund të zgjohesha.

Aty, stafi i emergjencës pranë Klinikës Universitare bashkë me Dr.Dafina Basholli, po mundoheshin të kujdeseshin për mua.

Nga këtu, prapë errësirë…

Ndodhesha në gjendje kome. Ishte i nevojshëm nje intervenim kirurgjik i menjëhershëm në kokë për të shpëtuar jetën time. Situata ishte shumë e vështirë. Dr. Faik Qosja së bashku me asisteten e tij doktoreshen Arlinda Basha dhe me stafin e repartit te Neurokirurgjisë morën përgjegjesinë per te kryer intervenimin. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre ishin burime shprese për mua dhe familjen time.

Pas disa ditëve, une hapa sytë përseri. Pamja e fytyrave të lodhura nga ankthi e pritja e familjarëve të mi më emocionoi shumë. U përpoqa të zgjohem dhe ti perqafoja shumë, por ndjeva nje vështirësi të papërballueshme për të levizur.

Pas pak kohe, filluan të më tregonin se çfarë ka ndodhur, rrethanat dhe vështirësitë që kisha përballuar, dhe aty fillova të kuptoj se po më priste një rrugëtim i gjatë shërimi…

Në ato momente, brenda meje, ndjeva një thirrje shprese dhe vendosmërie për tu përballur me këtë sprovë e cila më kishte goditur.

Mboldha forcat, dhe bashkë me fizioterapeutin Dr. Deniz Sungur, filluam ti kryenim ushtrimet e nevojshme. Edhe pse ishte shumë vështirë, lodhje dhe presion i madh mbi gjymtyrët e mia, ai shprehte gëzimin e tij për rezultatet qe po arrija dita ditës. Kjo përkrahje e vëmendje e tij, mua më jepte shpresë dhe motiv për të vazhduar përpara.

Ditët janë shumë të ngadalshme në spital, vizitat e njerzëve të dashur më lëviznin emocionalisht nga një ekstrem në tjetrin. Ndonjëhere ma largonin atë hijen e mërzisë së dhomës së spitalit, duke më kujtuar bukurinë e jetës së jashtme, e ndonjëhere më bënin të ndjeja mungesën e lirisë dhe pavarsisë sime. Prania e tyre ishte një përkujdesje e ngrohtë në një kohë të vështirë të ftohtë për mua.

Gjithçka ishte duke shkuar mirë, kur…

Papritur, mjekët kishin vërejtur përhapjen e një infeksioni në kokën time dhe se ishte nevoja edhe për një intervenim tjetër. Ky lajm për mua ishte tronditës, dhe mu duk se gjithë ato ditë dhe netë të gjata me dhimbje do te ktheheshin prapë.

Përsëri errësirë…

Operimin për heqjen e infeksionit bashkë me një pjesë të kafkës e kreu përseri doktor Faiku, bashkë me stafin e tij të neurokirurgjisë.

Kur u zgjova, ai më njoftoi se gjithçka kishte shkuar mirë falë menaxhimit të suksesshëm të infeksionit.

Pas këtij intervenimi, mendova se trupi ishte në atë nivel, ku e kisha lënë para se të mbyllja sytë për herë të dytë. Por… realiteti ishte krejtësisht i kundërt.

Filluan të më tradhëtonin këmbët dhe duart, duke më bërë të përjetoja ndjesi të frikës dhe pasigurisë. Ndjeva se po humbja prapë kontrollin mbi trupin tim, dhe kjo mungesë e forcës fizike po më bënte të ndihesha e zbrazët.

“Pas vështirësisë vjen lehtësimi…

Me të vertetë, pas veshtirësisë vjen lehtësimi…” këto janë vargjet e Zotit në Kuran, që më kanë dhënë shpresë e forcë për ta vazhduar rrugëtimin. Në momentet e mjerimit dhe mungesës së shpresës, këto fjalë kanë qenë si një dritë që udhëzon drejt lehtësimit dhe që na rikujton se çdo sfidë ka një fund të mirë.

Në këto çaste, kuptova se jeta dhe shëndeti janë dhuratë, nga Ai, më Bujari, për të provuar vërtetësinë e besimit. Duke u nisur nga këto, vendosa të përqendrohem te shërimi im.

Pas operimit të dytë, mjekët konstatuan se une isha e rrezikuar nga sulmet e infeksioneve dhe më rekomanduan transferimin nga reparti i Neurokirurgjisë ne repartin e infektologjise. Aty doktor, doktoresha Albina Ponosheci, Vera Berisha-Ndrejaj dhe Shemsedin Dreshaj morën përgjegjësinë për kujdesin tim.

E hanë, 25 mars…

Unë sot po dal…

Fillimisht dua ta falenderoj Zotin, që në mesin e shumë njerëzve më zgjodhi mua për ta kaluar këtë rrugëtim, dhe për të më treguar se besimi në Të vjen para çdo gjëje.

Falenderoj prindërit e mi, motrat dhe vëllain tim, që gjatë gjithë kësaj kohe nuk më kthyen kurrë kurrë kokën, por qëndruan të përkushtuar dhe të fortë pranë meje. Ata ishin burimi im i ngrohtësisë, mbështetjes dhe dashurisë.

U jam mirënjohëse stafit të mrekullueshëm mjekësor, pranë Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, të cilët më shumë profesionalizëm e përkushtim janë kujdesur për mua.

Falenderoj ministrin Arben Vitia dhe kabinetin e tij, të cilët kanë treguar gatishmëri të lartë dhe janë interesusar për gjendjen dhe akomodimin tim.

Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë për stafin e Mjekësisë Intensive Qendrore, të cilët gjithmonë ishin pranë meje dhe nuk më lanë vetëm për asnjë moment. Përkujdesja dhe angazhimi i tyre më jepnin ndjenjën e sigurisë dhe mbështetjes, duke bërë që perballja me gjendjen në te cilën isha, të shkonte sa më lehtë.

Dua të falenderoj, Visar Korenica, Gramos Agusholli, Labinotë Demi Murtezi, Eman Rrahmanin, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Mirsad Shkreta, Haxhi Avdyli, Artan T. Krasniqi, Baton Kelmendin, Burim Meten, miqtë të cilët i kanë qendruar afër familjes time në këto kohë të vështira për ta.

Ju falenderoj të gjithë juve, që jeni lutur për mua, që më keni thirrur, me keni shkruar e keni shkruar për mua. I kam lexuar dhe jam munduar t’ju mbajë në mend të gjithëve.

Lus Zotin që kjo çka më ka ndodhur mua të mos i ndodhë më askujt. Fatkeqesitë ndodhin. Sfidat dhe vuajtjet janë pjesë e rrugëtimit tonë jetësor. Në këtë rrugëtim, besimi në Zotin, dashnia për jetën dhe njëri-tjetrin janë udhërrefyesit tonë më të rëndesishëm për të kaluar përtej vështirësive.

Për në fund, dëshiroj të ju bëjë thirrje të gjitha institucioneve që punët kur të kryhen, të kryhen në mënyrën më të mirë dhe mos të kursehet(vidhet) në mënyrë që të minimizohen fatkeqsitë si e imja.

The darkness has gone out of my life X

Elhamdulilah.

Më 18.01.2024 një Ujkani pësoi lëndime trupore si shkak i rënies së kulmit të objektit të komunës në lagjen ‘Arbëria’. Ky objekt ishte ndërtuar në vitnin 2009, derisa probleme me rënie të pjesëve nga çatia kishte pasur edhe në vitin 2017.

Komuna në vitin 2023 kishte nënshkruar kontratë 400 mije euro me operatorin “NBT-ING” për rikonstruktim të kulmit të këtij objekti, por kompania kishte deklaruar se nuk ka kryer punë në pjesën e kulmit që kishte rënë.

Më 22.01 2024 Prokuroria e Prishtinës njoftoi se lidhur me rastin e rënies së kulmit të objektit  ishin ndaluar dy persona të dyshuar, zyrtari i Komunës, me inicialet Y.J. dhe personi përgjegjës i kompanisë punuese me inicialet B.B.

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka hequr masën e arrestit shtëpiak të pandehurit, Bekim Baftjaraj nga kompania “NBT ING” SH.P.K. lidhur me rastin e rënies së kulmit të objektit të komunës në lagjen ‘Arbëria’ në kryeqytet më 18.01.2024.

Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar.

Derisa, për të pandehurin Ylber Jashari, zyrtar i Komunës së Prishtinës, gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ia ka vazhduar masën e ndalimit për t’ iu afruar vendit ose personit të caktuar.

Bekim Baftjaraj nga kompania “NBT ING” SH.P.K. dhe Ylber Jashari, zyrtar i Komunës së Prishtinës, janë dy personat e dyshuar nga Prokuroria për rastin e rënies së kulmit nga objekti i ri i Komunës së Prishtinës, ku mbeti e lënduar rëndë një kalimtare e rastit dhe u dëmtuan disa vetura të parkuara.

Gjykata e Prishtinës, Departamenti i Krimeve të Rënda më 24.01.2024  e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për 1 muaj për të dyshuarin Bekim Baftjaraj, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërkaq për të dyshuarin Ylber Jashari, zyrtar i komunës, ishte caktuar masa e ndalimit që për një muaj të mos i afrohet vendit të caktuar – Komunës si dhe kontakti me kolegët e punës për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale – keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Ne shkresat e lëndës rezulton se më datën 11 gusht 2023 – deri më datën 18 janar 2024 në Ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, i dyshuari Ylber Jashari në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re” në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij duke i mundësuar të përfitoj materialisht në mënyrë të kundërligjshëm kompanisë “NBT ING” SH.P.K.

Visar Geci, arkitekt i angazhuar nga Komuna e Prishtinës për të vlerësuar se pse ra kulimi i objektit të ri të komunës, në emisonin ‘Kallxo Përnime’ më 27.01.2024, deklaroi se konstruksioni i kulmit nuk ishte kapur me mjete adekuate, por vetëm me gozhda.

Sipas arkitektit Geci, edhe cilësia e drurit që është përdorur për ndërtimin e kulimit, ishte e dobët.