Edhe një biznesmen tjetër rrit pagat pas thirrjes së kryeministrit Kurti

Edhe një biznesmen tjetër, në këtë rast pronari i klinikës stomatologjike “MiciDent”, Astrit Sokoli, ka vendosur t’i përgjigjet thirrjes së kryeministrit të Kosovës që paga minimale të jetë 350 euro.

Doktori nga Kaçaniku ka thënë se që nga 5 marsi ka vendosur të rrisë pagën minimale në 350 euro netto dhe se punëtorëve të klinikës do t’u paguhen kontributet pensionale si dhe dreka.

Po ashtu, ai ka vendosur që orari i punës do të jetë 8 orë në ditë dhe 40 orë në javë.

“Për hajr kryeministër kjo nismë!”, ka shkruar Astrit Sokoli në Facebook.

Ky vendim i pronarit të klinikës stomatologjike vjen pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, se paga minimale në Kosovë për sektorin privat të mos jetë më e vogël se 350 euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë punëtorisë së organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, tha se qeveria e tij do të punojë në rritjen e pagës minimale në sektorin privat.

“Është absurde që paga minimale në sektorin publik të jetë mbi 500 euro, ku në pesë vitet e fundit ajo është rritur për 100 euro. Kjo rritje nuk ka ndodhur as për 15 euro në sektorin privat. Shteti duhet të ndihmojë këtu sepse kjo nuk mund të jetë në rregull dhe nuk mund të ketë pagë nën 350 euro”, ka thënë kryeministri Kurti.

Një ditë pas kësaj deklarate kishte reaguar kompania “MEKA”, e cila kishte vendosur që asnjë punëtor i saj nuk do ta ketë pagën nën 350 euro.

Kjo kompani dallohet edhe për faktin se ajo punëtorëve u jep edhe rrogën e 13-të, e madhe edhe të 14-tën.