Albin Kurti: Reciprociteti do të ndodhë

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë punëtorisë së organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, tha se reciprociteti ndaj Serbisë do të ndodhë pasi që Kosova duhet të sillet si shtet i pavarur.

Kurti tha se reciprociteti është vlerë para se të jetë masë kundërvënieje.

“Reciprociteti do të ndodhë, kjo sepse duhet të sillemi si shtet i pavarur, ashtu siç jemi. Reciprociteti është vlerë para se të jetë si masë kundëvënie”, tha i pari i qeverisë.

Kryeministri Kurti përmendi edhe dallimin mes pagës mesatare në sektorin publik dhe atë privat.

“Është absurde që paga mesatare në sektorin publik të jetë mbi 500 euro, më një rritje prej mbi 100 euro në 5 vitet e fundit, ndërkohë që kjo rritje nuk është as 15 euro në sektorin privat ku e dini që pagat mesatare ngelen diku rreth 350 euro”, tha Kurti.

Kurti tregoi disa nga hapat që duhet ndjekur për të përmirësuar gjendjen në sektorin publik dhe atë privat.

“Ata të cilët duan të punojnë më shumë duan të fitojnë më shumë duhet ta kenë mundësinë tek sektori privat dhe garancinë e shtetit për sundim të ligjit dhe për konkurrencë fer, ndërkaq në sektorin publik, joshja nuk duhet të jetë paga e lartë por duhet të jetë siguria e kushteve dhe kontratave afatgjata. Kështu është zhvilluar Perëndimi në veçanti BE, ne rrugë tjetër nuk kemi”, theksoi ai.

Kreu i ekzekutivit tha se barrierat doganore mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të tejkalohen.

“Barrierat me Shqipërinë tejkalojnë dallimet tona në dialekte. Anomalitë janë të shumta. Taksat nëpër kufi duhet te hiqen. Është absurde se si qytetarët e Shqipërisë duhet të kenë leje pune për te marrë leje qëndrimi dhe anasjelltas”, përfundoi Kurti.