BURIM PIRAJ - Meka Hallall Food

Kompania kosovare rrit pagën minimale në 350 euro pas deklaratës së Kurtit

Kompania vendore, “Meka Halal Food” ka njoftuar se nga sot rroga minimale në këtë kompani do të jetë 350.

“Unë kam vendos që t’i përgjigjem thirrjes së kryeministrit Kurti që paga minimale të jetë 350 Euro neto në kompaninë time, pra sigurimi shëndetësor , sigurimi i pensioneve dhe dreka e punëtorëve do të mbulohet nga kompania jonë, duke respektuar orarin e punës 8 orë në ditë 40 orë në javë dhe 18 ditë pushim vjetor! Ky vendim hyn në fuqi menjëherë!”, thuhet në njoftimin e pronarit të kompanisë, Burim Piraj.

E njëjta kompani ka pasur pagën minimale 300 euro nga shkurti i i vitit 2019 si dhe ka dhënë pagën e 14 për punëtorët.

Ky vendim i kompanisë vjen një ditë pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, se paga minimale në Kosovë për sektorin privat të mos jetë më e vogël se 350 euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë punëtorisë së organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, tha se qeveria e tij do të punojë në rritjen e pagës minimale në sektorin privat.

“Është absurde që paga minimale në sektorin publik të jetë mbi 500 euro, ku në pesë vitet e fundit ajo është rritur për 100 euro. Kjo rritje nuk ka ndodhur as për 15 euro në sektorin privat. Shteti duhet të ndihmojë këtu sepse kjo nuk mund të jetë në rregull dhe nuk mund të ketë pagë nën 350 euro”, tha kryeministri Kurti.