Foto: KALLXO.com

Dyshimet se u shtrua asfalt më holl seç parashihej në kontratë, dalin në gjyq zyrtarë të Komunës e pronarë biznesesh

Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Salih Kqiku, shef i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, ish-drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu, udhëheqësi i Zyrës së Prokurimit, Izet Kurteshi, dhe ish-zyrtarja e shërbimeve publike, Ganimete Kastrati, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit.

Bashkë me ta, në këtë rast po akuzohen edhe Muhadin Zuka, pronar i kompanisë “Zuka Comerc”, si dhe Fatlum Pireva e Suad Pireva, bashkëpronarë në kompaninë “El-Bau”. Ndaj tyre po rëndon vepra penale – mashtrimi.

Tutje në seancë u dha fjala hyrëse e palëve, ku prokurori Agron Uka kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Kurse të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kërkuan nga Gjykata që të lirohen nga akuzat pasi sipas tyre nuk janë fajtorë për veprat penale me të cilat Prokuroria e Gjilanit i ngarkon.

Në vazhdim u dëgjua dëshmitarja Kimete Aliu, e cila tha se mbetet pranë deklarates së dhënë në Polici. Ajo gjithashtu tha se se në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, ka qenë menaxhere e projektit të rrugëve për një kohë të shkurtër, dhe pastaj ka kërkuar të tërhiqet nga cilësia e menaxheres për shkak të vëllimit të punëve dhe arsyeve personale.

“Operator për kryerjen e punimeve ka qenë kompania “Zuka Commerc”. Pasi jam liruar nga detyra e menaxheres së projektit më duket se menaxher pastaj ka qenë Izet Kurteshi. Nuk më kujtohet se sa ka qenë vlera e kontratës. Në  kohën kur jam caktuar në rolin e menaxheres së projektit drejtor i Prokurimit më duket se ka qenë Salih Kqiku. Gjatë asaj kohe nuk më kujtohet se si ka rrjedhur puna”, tha tutje dëshmitarja Aliu.

Ajo gjithashtu tha se me sa i kujtohet ka bërë një ose dy raporte me shkrim lidhur me punën që është kryer, ndërsa nuk i kujtohet se a ka pasur ndonjë parregullsi.

Dëshmitarja shtoi se i kujtohet se punimet kanë filluar në atë projekt (për të cilin akuzohen të akuzuarit), por nuk e di a kanë përfunduar.

Pasi përfundoi orari i punës, seanca e sotme u ndërpre, për të vazhduar më 22 korrik.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit, i pandehuri Salih Kqiku në cilësinë e personit zyrtar pa i përmbushur detyrat e tij zyrtare, në bashkëkryerje me të pandehurin Valon Shefkiu menaxher i projektit, kanë lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc”, për asfaltimin e katër rrugëve të reja në projektin me vlerë të kontratës prej 245,825.89 €.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se në projekt ka qenë paraparë që trashësia e asfaltit duhet të jetë 11.00 cm, ndërsa është implementuar 8.93 cm, që do të thotë më pak se trashësia sipas projektit për 2.07 cm.

Tutje, sipas Prokurorisë, të pandehurit nuk kanë përcjellë këtë ndryshim edhe pse në bazë të ligjit mbi prokurimin, në bazë të detyrave dhe autorizimeve kanë qenë të obliguar të bëjnë mbikëqyrjen dhe përcjelljen e kontratës me rastin e implementimit, ashtu që nga veprimet e tyre i është shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në shumën prej 10,702.23 €.

Po ashtu, të njëjtit, sipas aktakuzës, akuzohen se kanë lidhur aneks-kontratë me të cilën është kontraktuar për të dytën herë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” duke theksuar se aneks-kontrata është mbështetur në paramasa dhe parallogari tjetër nga e cila rezulton se ndërtimi i urës ka përfshirë punët e dheut në vlerë prej 7,881.16 € dhe objektin (urën) në vlerë prej 15,239.39 €, gjithsej në shumë prej 23,120.55 €. Sipas Prokurorisë për ndërtimin e kësaj ure ka munguar projekti i veçantë dhe se është zbatuar një projekt tjetër mbi bazën e të cilit është ndërtuar ura në Malësinë e Karadakut, përkatësisht ura në lagjen e Bilallëve, e cila është konsideruar nga të pandehurit se është ekuivalente me urën për të cilën mungon projekti, kështu që diferenca e kontraktuar dhe e paguar më tepër është 14,818.98 €.

Tutje sipas aktit akuzues, i pandehuri Sali Kqiku akuzohet se në bashkëkryerje edhe me të pandehurit Izet Kurteshi dhe Ganimete Kastrati, menaxherë të projektit, anëtarët e komisionit Valon Shefkiu, Arsim Ibrahimi e Bashkim Bunjaku, përkundër vërejtjeve të tyre që i kanë paraqitur për punët e filluara dhe të kryera, kanë kërkuar nga Zyra e Prokurimit udhëzime dhe përgjigje se si të veprohet më tutje, mirëpo të njëjtit kurrfarë përgjigje nuk u kanë dhënë, dhe anëtarët e komisionit në vendim kanë sqaruar se nuk bartin përgjegjësi për punët e ekzekutuara dhe nuk mund të kryejnë punën e mbikëqyrjes profesionale.

Gjithnjë sipas aktakuzës është bërë faturimi i punëve të kryera në shumën prej 231,094.96€, ku është përfshirë edhe shuma e aneks-kontratës 20,099.36€, dhe nga kjo konsiderohet se dëmi i shkaktuar komunës së Gjilanit kap vlerën prej 3,496.33 €.

Kompania private “Zuka Comerc” me seli në Gjilan akuzohet se në cilësi të personit juridik ka kryer punët ndërtimore në kundërshtim me standardet e parapara profesionale, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten dhe në dëm të Komunës është 25,521.21 €.

I akuzuari Muhadin Zuka akuzohet se si person fizik, përfaqësues i autorizuar i personit juridik “Zuka Comerc”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i ka paraqitur fakte të rreme Komunës së Gjilanit, ngase nuk ka realizuar rrugën sipas kontratës duke shkaktuar dëm material me qëllim përvetësimi për vete në dëm të Komunës së Gjilanit në shumë prej 25,521,21€.

Tutje, kompania private ‘El-Bau” me seli në Gjilan, akuzohet se në cilësi të personit juridik ka vënë në lajthim Komunën e Gjilanit, duke mos iu përmbajtur kontratës sipas tenderit, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten në dëm të Komunës së Gjilanit është në shumë prej 2,662.26€.

Ndërsa të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva akuzohen se si persona fizikë dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme Komunës së Gjilanit, të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerën prej 2,662.26€.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.