Dyshimet për gjakmarrjen e babait 20 vite më parë, kush është Dedë Lleshi i ekstraduari nga SHBA 

Dedë Lleshi është i dyshuari i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga organet e rendit, ndërsa sot Krimet e Rënda të Prokurorisë Themelore të Gjakovës kanë marrë një aktvendim për rifillim të hetimeve në lidhje me një vrasje e cila ka ndodhur në vitin 2003.

Vrasja e cila ndodhi siç pretendohet për gjakmarrje u rikthye sërish në vëmendje që nga viti 2003, pasi SHBA ka ekstraduar Lleshin gjatë ditës së djeshme në Kosovë.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e prokurorisë për masën e sigurisë ndaj Lleshit.

Sipas dosjes, i njëjti më 12 korrik të vitit 2003 rreth orës 09:00, në fshatin Raçë të Gjakovës, dyshohet se kishte vrarë 47 vjeçarin Nikollë Nikolla.

Dosja përmend faktin se vrasja ishte kryer 12 vjet pasi fillimisht ishte viktima që kishte vrarë babanë e Dedë Lleshit, Pashkë Lleshin.

Në ditën kritike gjithmonë sipas dosjes së prokurorisë, Dedë Lleshi e kishte përcjellë Nikollë Nikollën dhe kur i njëjti ka hyrë në dyqan për të blerë ca gjëra ushqimore i pandehuri Dedë Lleshi, e ka pritur në afërsi e pastaj prej një afërsie të pacaktuar ka shtënë në drejtim të tij shumë herë në pjesë të ndryshme të trupit, i cili nga plagët e marra menjëherë ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, Dedë Lleshi, dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes.

Po ashtu i njëjti pretendohet se ka siguruar dhe pa autorizim deri më datë 12.07.2003, ka mbajtur një pushkë gjysmë automatikë SKS, me të cilën armë dyshohet se ditën kritike në fshatin Raçë të Gjakovës, m`u para një lokali për blerje të ushqimeve, ka shtënë në drejtim të Nikollë Nikollës.

Me veprimet që dyshohet se i kishte ndërmarrë Dedë Lleshi, prokuroria pretendon se ka kryer veprën penale mbajtja pa autorizim të armëve dhe municionit asokohe të rregullores së UNMIK-ut 2001/7.

Prokuroria Themelore në Gjakovë gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ka marrë aktvendim për rifillim të hetimeve dhe ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Lleshi ishte arrestuar me urdhërarrest ndërkombëtar e më pas është ekstraduar nga SHBA.

Dosja tutje thotë se meqë i pandehuri Dedë Lleshi që nga fillimi i procedurës ndodhej në arrati, prokuroria në vitin 2004 kishte pezulluar hetimin.

Gjatë ditës së sotme, Prokuroria ka marrë informacione nga ana e zyrtarëve policor se i njëjti është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është sjellë gjatë ditës së djeshme në Aeroportin e Prishtinës dhe më pas në ora 21:30 në ndalim në Stacionin e Policisë në Gjakovë.

“Meqë i pandehuri Dedë Lleshi është arratisur dhe si shkak i mos prezencës së tij është pezulluar hetimi, kemi marrë aktvendim mbi rifillimin e hetimit dhe po të njëjtën ditë paraqesim këtë kërkesë për caktimin e paraburgimit”- thuhet në dosjen e prokurorisë.

Mbrojtësi i të pandehurit Dedë Lleshi, Ndrec Dodaj, gjatë seancës dëgjimore është deklaruar për klientin e tij.

“Jam vënë në dijeni me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e kësaj mase dhe provat që pretendon, faktet që prokuroria po thotë që do të vërtetohen gjatë hetimit”- ka thënë ai.

“Është fakt nga kërkesa e prokurorisë rezulton se kemi të bëjmë me një numër jo të paktë të provave materiale dhe formale. Mbrojtja për shkaqe objektive dhe të arsyeshme nuk kemi mundësi me e ditë përmbajtjen e atyre provave. Andaj këto prova mendoj se e vërtetojnë një fakt një incident, një vrasje që ka ndodhur, përshkruhet një motiv i asaj vrasje, duke pasur parasysh edhe një rrethanë si  qytetar i këtij vendi dhe ngjarjen kur ka ndodhur unë mendoj se ky i pandehur mund të rezultojë fiktiv apo i kamufluar”, tha avokati Dodaj.

“Nuk e përjashtoj mundësi që as që ka qenë në vendin e ngjarjes, por arsyeja e ikjes mund të vërtetohet gjatë hetimeve, se pak raste ndodhin, këso vrasje kur vrasja ndodh, kryesi ikën dhe ashtu përfundon hetimi i gjykimit. Pra në këtë drejtim kam vërejtje në dyshimin e bazuar, derisa dyshimi i bazuar për mua është i kontestuar se ky i pandehur është kryesi i kësaj vepre”- ka shtuar tutje avokati Dodaj.

Në këtë rast, Prokuroria në Gjakovë pretendon se kanë edhe deklarata të dëshmitarëve të asaj kohe.

Në anën tjetër gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur që t’i caktoj masën e paraburgimit Dedë Lleshit.

“Ekziston rreziku i arratisjes pasi që veprat dyshohen se janë kryer në vitin 2003 dhe nga kjo kohë i pandehuri ka qenë në arrati mbi 20 vite dhe atë në SHBA me identitet të ndryshuar dhe ka qenë i pa arritshëm deri me datë 07.02.2024 ku është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas është sjellë në Republikën e Kosovës, prandaj Gjykata konsideron se me lënien në liri të pandehurit ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale, që të arratiset”- thuhet në vendimin e gjykatës.