Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kallëzimi penal i kryeinspektorit të Arsimit në Gjakovë ndaj Smajl Latifit, Prokuroria merr këtë vendim

Prokuroria Themelore e Gjakovës, më 7 mars, e ka hedhur kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, të paraqitur nga kryeinspektori i Arsimit në Gjakovë, Gjergj Gojani.

Gojani më 1 tetor kishte paraqitur kallëzim penal ndaj Latifit, duke thënë se ai e ka kanosur, pas një kërkese që ai e kishte bërë ndaj Latifit që të iniciojë procedura disiplinore ndaj drejtorit të Arsimit, Avni Morina në atë kohë.

Prokuroria e ka hedhur poshtë këtë kallëzim duke thënë se ‘nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm i kryerjes së veprës penale’.

Për këtë vendim ka shkruar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Ai e quajti motiv politik kallëzimin penal të dorëzuar në tetor nga ana e Gojanit.

“Tani, është shumë e qartë që kryeinspektori Gojani ishte i motivuar politikisht në këtë mësymje. Ai u përpoq që ta dëmtojë reputacionin tim gjatë fushatës së fundit të zgjedhjeve lokale, kur unë garoja për kryetar të Komunës së Rahovecit dhe bashkëpunëtorët e mi për Kuvendin Komunal’, ka shkruar Latifi në Facebook.

Sipas Latifit, “vendimin anti-ligjor, ku e urdhëronte Kryetarin e Komunës së Rahovecit që ta shkarkojë njërin prej drejtorëve, ai e kishte pasuar me pretendimin e rrejshëm se unë e kam kanosur atë gjatë një bisede telefonike, për çfarë Prokuroria Themelore në Gjakovë nuk ka gjetur dëshmi dhe padinë e inspektorit e ka shpallur të pavlefshme”.

Kryetari i Rahovecit njoftoi se do të dorëzojë padi civile ndaj Gojanit për dëmtim të reputacionit.

“Këtij konspiracioni politik të kryeinspektorit, unë do t’i përgjigjem me një padi civile për dëmtim të reputacionit gjatë fushatës zgjedhore, përmes vendimeve të kundërligjshme si dhe pretendimeve të rrejshme, të orkestruara si një sulm politik dhe arbitrar kundër meje dhe AAK-së në Rahovec. Për dëmin e shkaktuar, bashkë me avokatin tim, do të kërkojmë kompensim meritor”, ka shkruar Latifi.

“Unë, do të vazhdoj të punoj drejtë dhe në shërbim të qytetarëve të Rahovecit, ndërkaq sulmeve politike, që janë në kundërshtim me ligjin dhe të pandershme njerëzisht, do t’u adresohem gjithmonë nëpërmjet rrugëve ligjore, me bindjen e thellë që drejtësia do të fitojë gjithmonë në fund”, tha Latifi më tej.

Më 28 shtator të vitit 2021, Sektori i Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, që të iniciojë procedura disiplinore dhe ligjore për shkarkim nga detyra të drejtorit të Arsimit të Rahovecit, Avni Morina.

Vendimi për kërkesën për shkarkim erdhi pasi Morina kishte nxjerrë një vendim i cili obligonte të gjithë drejtorët e shkollave të mos lëshojnë vërtetime për përvojën e punës dhe numrin e ditëve të mësimit të punonjësve arsimorë të shkollave.

Për këtë Gojani kishte dorëzuar më pas kallëzim penal më 1 tetor me arsyetimin se Latifi e ka kanosur.

Inspektorati i Arsimit në Gjakovë kërkon shkarkimin e drejtorit të Arsimit në Rahovec

.