Avokati, Ylli Xhiha, Foto:KALLXO.com

Avokati i Gjakovës e quan montim arrestimin e tij

Avokati Ylli Xhiha, i cili më 24 janar të këtij viti u shpall në kërkim të Policisë nën dyshimet se ka kanosur punëtorin e sigurimit në Prokurorinë e Gjakovës, në një prononcim për KALLXO.com tregon se si u dërgua në Polici për mbajtjen e masës së dënimit për 48 orë.

Ai për KALLXO.com ka mohuar kanosjen për të cilën thotë se i është montuar si rast.

Në anën tjetër, avokati Xhiha tregon se si dha deklaratën në Policinë Rajonale të Gjakovës edhe pse kërkesa e tij ishte që me rastin e tij të merrej Drejtoria Regjionale e Policisë.

“Unë fillimisht pasi që më kanë ftuar, Policia e Gjakovës, edhe pse nuk ka kompetencë meritore për shkak të konfliktit të interesit, për shkak të Ali Selimajt (kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë), kam shkuar në polici me rekomandim, kam shku në polici, kam bisedu me policin hetues, më kanë rekomanduar që të bëj një kërkesë për përjashtim, e kam bërë kërkesën. Me të lexuar linçimet që më janë bërë padrejtësisht nga Prokuroria se kinse jam në arrati, për vetë faktin se unë kam qenë në lëvizje të lirë, kam dalë, kam qenë në zyrë, llogaris se më është dëmtuar imazhi, pasi që është deklaratë e rrejshme dhe unë kam bërë edhe kallëzim penal për këtë gjë”, tha Xhiha për KALLXO.com.

Tutje Xhiha tregon për KALLXO.com se “ka qenë i detyruar të ndalet në polici”.

“Jam paraqitur në Policinë Rajonale në Gjakovë, kam bërë kopje fizike kërkesën për përjashtim, jam detyruar nga Policia që të ndalohem dhe të jap deklaratën pavarësisht që kërkesa ime ka qenë që hetuesia regjionale të merret, pasi i bie që kompetenca lëndore të jetë  nën kompetencën e prokurorisë dhe se në momente të tilla fjala ime ka shkuar në vesh të shurdhër”, thotë tutje avokati.

Ai thotë se ka refuzuar të japë deklaratën për atë se çfarë ka ndodhur në Prokurori në ditën kritike.

“Më kanë marrë në pyetje, kam refuzu me dhanë deklaratë, meqenëse nuk ka kompetencë meritore, mbes mbrapa kërkesës për përjashtim. Kam incizim se unë nuk e kam kanosur askënd. Pasi që ka përfunduar intervista më kanë kumtuar lajmin se duhet të ndalem për 48 orë”, tha Xhiha për KALLXO.com.

Sipas tij, as Prokuroria e as Gjykata Themelore në Gjakovë nuk kanë dashur të shikojnë video- incizimin, i cili sipas avokatit Xhiha tregon se ai nuk ka kanosur askënd.

“Pasi kam mbajtur 48 orët, jam dërguar në Gjykatë. Gjatë seancës kam treguar prapë gatishmëri për të treguar video-incizimin që dëshmon se unë nuk kam kërcënuar askënd. Kam demonstruar që këtu nuk bëhet fjalë për kanosje”, tregon për KALLXO.com avokati Xhiha.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me rastin edhe në ditët e kaluara.

Sipas avokatit Xhiha, vepra penale e kanosjes ndaj punëtorit të sigurimit të Prokurorisë i është kurdisur.

“Kjo hakmarrje ndaj meje do të bëhet sepse unë kam punuar në Prokurori dhe kam parë shumë gjëra të pahijshme. Në lidhje me këtë rast unë kam bërë kërkesë për përjashtim të Policisë dhe Prokurorisë së Gjakovës pasi që konsideroj se ka konflikt interesi me kryeprokurorin”, ka deklaruar avokati Xhiha.

Në lidhje me pretendimet e avokatit Xhiha, KALLXO.com kishte kontaktuar edhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimajn.

“Nuk është e vërtetë çka thotë ai. Unë s`kam asnjë interes. Po ashtu, ai ka punuar në Prokurori si zyrtar ligjor dhe i njëjti nuk i ka respektuar rregullat e punës dhe ndaj tij janë marrë masa disiplinore dhe për këtë është larguar nga puna”, tha kryeprokurori Ali Selimaj.

Sipas kryeprokurorit Selimaj, Yll Xhiha ka ngritur kallëzime penale ndaj shumë prokurorëve në Prokurorinë e Gjakovës por se të gjitha janë hedhur poshtë.

https://kallxo.com/gjykata-refuzon-paraburgimin-ndaj-ish-zyrtarit-te-prokurorise/

https://kallxo.com/ish-zyrtari-i-prokurorise-se-gjakoves-rastin-e-kanosjes-e-quan-montim-nga-kryeprokurori-ali-selimaj/