Këshilli Prokurorial i Kosovës njofton për vendimet nga takimi i sotëm

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i kryesuar nga Jetish Maloku ka mbajtur takimin e 225-të me radhë.

Përmes një komunikate për  Këshilli Prokurorial njoftoi se kanë themeluar Panelin hetimor për rastin disiplinor AD.nr.15/22 ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në takimin e sotëm, sipas KPK-së, u miratuan edhe dy draft rregullore, ajo për Praktikantë në Sistemin Prokurorial, kurse e dyta për Procedurat e Rekrutimit, Përzgjedhjes së Bashkëpunëtorëve Profesionalë.

Tutje, KPK shton se anëtarët  miratuan edhe kërkesën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë për transferimin e përkohshëm të një prokurori në Departamentin e Përgjithshëm, me ç’rast u mor vendim që prokurori i Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, Ramadan Koro, të transferohet përkohësisht në departamentin e njëjtë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

KPK-ja po ashtu miratoi edhe dy raporte për vlerësimin e performancës së prokurorëve, njërin për 10 prokurorë me mandat të përhershëm dhe tjetrin për tetë prokurorë po ashtu me mandat të përhershëm.

Në fund të takimit, Këshilli thekson se kanë vendosur që t’i drejtohen Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani që të japë një sqarim deri më 13 janar 2023 lidhur me rastin e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Kastriot Memaj.