Dugolli thotë se u kërcënua nga Bekë Berisha në prani të drejtorit të përgjithshëm të Policisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili është anëtar në Komisionin për Siguri, tha se është kërcënuar të martën nga kolegu i tij nga Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës, Bekë Berisha.

Berisha, i cili është kryetar i Komisionit për Siguri nuk ka qenë i qasshëm në telefon, për të marrë një përgjigje rreth pretendimeve të Dugollit.

Në një deklarim për KALLXO.com, Enver Dugolli tha se gjatë kohës sa Komisioni ishte i mbyllur për media, Bekë Berisha e ka ndezur cigaren. Përveç kësaj, e ka kërcënuar atë.

“Ato që i thash në media, janë të vërteta. Ka qenë mbledhje e Komisionit, por pjesa e mbyllur. Ai ka ndezur edhe cigaren, në prezencë të krejt anëtarëve të komisionit, policisë…” – tha ai.

Sipas deputetit të Vetëvendosjes, e gjitha nisi pasi ky kritikoi Berishën për pyetjet që bëri në Komision.

“E gjitha filloi sepse unë ia tërhoqa vërejtjen që po e shkel ligjin, si pëlqeu kritika që ia bëra për pyetjet që i bënte… dëshirojke me përzi policinë me politikën” – deklaroi Enver Dugolli.

“Tha je i sëmurë se ta kisha kallxu vendin ty qetash…” – deklaroi ai tutje.

I pyetur nëse rastin e ka paraqitur në polici, Dugolli tha se jo “sepse kjo ka ndodhë në prezencë të krerëve të policisë, drejtorit të përgjithshëm dhe kolegëve të tij”.

Në fund, ai tha se ka kërkuar nga kryetari i Parlamentit dhe Kryesia e Kuvendit që të marrin masa disiplinore ndaj deputetit Bekë Berisha.

Ndryshe drejtori i përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka raportuar sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes rreth zhvillimeve të fundit, por mbledhja ka qenë e mbyllur për mediat.