Deputeti Driton Selmanaj - Foto: KALLXO.com

Driton Selmanaj vazhdon përplasjen me udhëheqjen e re të LDK-së

Deputeti i sapozgjedhur i LDK-së dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Driton Selmanaj, ka reaguar për herë të dytë brenda ditës në lidhje me Kryesinë dhe kryetarin e ri të LDK-së.

Selmanaj ka reaguar ndaj postimit të nënkryetarit të LDK-së, Anton Quni, i cili i kishte dalë në mbrojtje kryetarit të ri të LDK-së, Lumir Abdixhikut.

E gjitha nisi me një postim të Driton Selmanajt, i cili kishte shkruar se “turri dhe vrapi” për ta takuar Vjosa Osmanin është përpjekje për ta dëmtuar edhe më shumë LDK-në, pas takimit që kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku kishte pasur para disa ditëve me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin dhe u.d. presidenten, Vjosa Osmanin.

Ndaj këtij deklarimi ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Anton Quni, i cili i doli në mbrojtje kryetarit të ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Lumiri ishte i fundit nga liderët e partive që takoi, zj Osmani; në konsultim gjithëpërfshirës me strukturat e LDK-së. Nuk kishte as “turr” e as “vrap”! LDK-së po i ri-kthehet dinjiteti me hapa shumë të sigurt.  “Dream Team” në krye me Lumirin”, ka shkruar Quni në Facebook.

Pak orë pas postimit të Qunit, Selmanaj ka reaguar përsëri në Facebook. Duke iu referuar postimit të Qunit, Selmanaj ka thënë se “qenkan prekur pak “gjenerata e re reformatore” e LDK-së”.

“Pajtohem që zërin qytetar duhet dëgjuar me shumë kujdes, dhe që reflektimi të ndodh me domosdoshmëri, por ky reflektim duhet të fillojë pikërisht nga ata që për 20 vite mbajtën pozita të rëndësishme në LDK, dhe ata që në degët e tyre në zgjedhjet e fundit humbën mbi 50% të elektoratit të LDK-së”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Quni në fund të postimit të tij ka shkruar “”Dream Team” në krye me Lumirin” ndërsa Selmanaj i është kundërpërgjigjur Qunit duke i thënë se “është e ligë dhe tejet e ulët që të tillët të na ripaketohen si reformator apo “dream team””

Fundjavën e kaluar, Lumir Abdixhiku u zgjodh kryetar i ri i LDK-së përballë Lutfi Hazirit dhe Besian Mustafës, të cilët i kishte kundërkandidatë.

Ndërsa dje LDK zgjodhi Kryesinë e re të partisë, në të cilën mungojnë emrat si Agim Veliu, Haki Rugova dhe emra të tjerë që për vite të tëra kanë qenë pjesë e Kryesisë.