Anton Quni i reagon Driton Selmanajt rreth "turrit e vrapit" të LDK-së për ta takuar Vjosa Osmanin
Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni, i ka reaguar deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, i cili tha se drejtues të kësaj partie po bëjnë ‘turr e vrap’ për ta takuar Vjosa Osmanin.
Quni përmes një postimi në Facebook i doli në mbrojtje kryetarit të ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Lumiri ishte i fundit nga liderët e partive që takoi, zj Osmani; në konsultim gjithëpërfshirës me strukturat e LDK-së. Nuk kishte as “turr” e as “vrap”! LDK-së po i ri-kthehet dinjiteti me hapa shumë të sigurt. “Dream Team” në krye me Lumirin”, ka shkruar ai.
Deputeti i sapozgjedhur i LDK-së dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Driton Selmanaj, sot ka thënë se “turri dhe vrapi” për ta takuar Vjosa Osmanin është përpjekje për ta dëmtuar edhe më shumë LDK-në.
Pas zgjedhjeve të reja brenda LDK-së është përfolur për kthimin e mundshëm të Vjosa Osmanit në këtë parti.
Kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar takim me deputeten e zgjedhur dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin.
Osmani ishte nënkryetare e LDK-së deri në momentin që kjo parti e shkarkoi nga të gjitha pozitat udhëheqëse, pasi ajo kundërshtoi rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Tashmë, Osmani ka krijuar iniciativën e saj politike dhe në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar së bashku me një listë me Lëvizjen Vetëvendosje.