Zzëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, Foto: KALLXO.com

Driton Selmanaj kundër "turrit dhe vrapit" të zyrtarëve të LDK-së për ta takuar Vjosa Osmanin

Deputeti i sapozgjedhur i LDK-së dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Driton Selmanaj, ka thënë se “turri dhe vrapi” për ta takuar Vjosa Osmanin është përpjekje për ta dëmtuar edhe më shumë LDK-në.

“Çdo përpjekje për ta nda apo diferencu Vjosen nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferu mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik. “ Turri dhe vrapi” për ta takuar Vjosën, nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve QËNDRESTARË të saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Pas zgjedhjeve të reja brenda LDK-së është përfolur për kthimin e mundshëm të Vjosa Osmanit në këtë parti.

Kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar takim me deputeten e zgjedhur dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin.

Osmani ishte nënkryetare e LDK-së deri në momentin që kjo parti e shkarkoi nga të gjitha pozitat udhëheqëse, pasi ajo kundërshtoi rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Tashmë, Osmani ka krijuar iniciativën e saj politike dhe në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar së bashku me një listë me Lëvizjen Vetëvendosje.