Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i Spitalit të Ferizajt: Nuk mund t’i ndalojmë vizitat e familjarëve te pacientët me COVID-19

Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, ka thënë se në Spitalin e Ferizajit nuk ka familjarë që kujdesen për pacientët me COVID-19.

Por, Zeqiri ka thënë në anën tjetër se nuk mund ta ndalojnë vizitën e familjarëve te këta pacientë pasi nuk i lejon as ana humane e as ajo ligjore.

“Në Spitalin e Ferizajt e kemi pak më ndryshe. Në ora 1 familjarët njoftohen nga mjeku për gjendjen e pacientëve dhe lejohen të vizitohen pacientët me masa rigoroze. Të gjithë pacientët që janë me COVID-19 janë të kateterizuar dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në WC. Në spitalin tonë nuk ka familjarë që vijnë dhe kujdesen për familjarin e tyre. Mund të ketë ndonjë familjar që ne nuk kemi informata, por asnjë person në Spitalin e Ferizajt nuk hyn pa maskë dhe pa dorëza. Ne si menaxhment nuk kemi asnjë të drejtë humane dhe as ligjore që t’i ndalojmë vizitat e familjarëve. Ne kemi pasur vizita nga dy institute të Gjermanisë dhe Italisë dhe edhe atje familjarët kanë të drejt t’i vizitojnë familjarët nëpër spitale”, ka deklaruar Zeqiri.

 

Në emisionin Jeta në Komunë sot është duke u diskutuar për situatën dhe menaxhimin e COVID-19 në komunat e Kosovës. Të ftuar në debat janë Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan, Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në Pejë, Visar Shehu, nënkryetar i komunës së Prizrenit.