Spitali i Ferizajt, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Spitali Rajonal i Ferizajt tash e një javë pa drejtor

Spitali i Ferizajt që nga e premtja e javës së kaluar, ka mbetur pa drejtor, pasi tanimë ish – drejtorit Jeton Zeqiri, i ka skaduar kontrata e punës dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar nuk e ka përcaktuar ende askënd në këtë pozitë.

KALLXO.com merr vesh se asnjë nga mjekët në këtë spital, deri më tani nuk ka pranuar të marrë pozitën e U.D të drejtorit.

Në momentin që drejtori i spitalit nuk e bartë më këtë pozitë, kompetencat e spitalit i takojnë drejtorit shëndetësor, andaj këtë detyrë në Spitalin Regjional të Ferizajt është duke e bartur Riza Idrizi.

“Jo si Ushtrues Detyre, por më janë bartë kompetencat si drejtor shëndetësor që jam, edhe një muaj ditë. Kur mungon drejtori ekzekutiv, drejtori shëndetësor i kryen obligimet e tij, mirëpo nuk jam Ushtrues Detyre”, tha ai për KALLXO.com.

Mandati i tij përfundon në fillim të muajit shtator të këtij viti.

“Unë jam në përfundim të mandatit dhe i kam tregu që nuk jam i interesuar për me vazhdu më tutje në asnjë pozitë tjetër. Jemi në pritje të ShSKUK-së për me përcaktu dikë si Ushtrues Detyre të spitalit”, shprehet ai.

Ndërsa ish drejtori thotë se në emailin e ShSKUK-së, nuk i është dhënë asnjë sqarim në lidhje me mosvazhdimin e kontratës.

“Edhe për kundër përformancës maksimale nuk me kanë informuar lidhur me mosvazhdimin, por vetëm me një email më kanë njoftuar pa më dhënë asnjë shpjegim”, tha Zeqiri për KALLXO.com.

Tani thotë ai, “të punoj në spital por si anesteziolog”.

Mandati drejtorit të spitali është tre vjeçar me mundësi vazhdimi.

Për këtë, KALLXO.com ka adresuar pyetje edhe në ShSKUK por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.