Situata me COVID-19 në Spitalin Rajonal të Ferizajt - VIDEO

Spitali Regjional në Ferizaj që nga fillimi i përhapjes së pandemisë në vend ka trajtuar pacient të infektuar me coronavirus.

Aktualisht në këtë spital janë të hospitalizuar 67 pacientë me COVID-19, dy prej të cilëve janë nën asistim me maskë CPAP, ndërsa tetë pacientë janë në gjendje më të rëndë.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Spitalit Regjional në Ferizaj, Jeton Zeqiri, në një intervistë dhënë për KALLXO.com.

“Spitali i Ferizajt i ka të dedikuar për pacientët me coronavirus 70 shtretër ndërsa para një jave e kemi pas edhe një përkrahje nga niveli i ShSKUK-së ku i kemi referuar edhe 20 shtretër të rinj, disa prej tyre i kemi përdorur pjesa tjetër është në plan për rritjen e kapacitetit”, tregoi drejtori.

Në fillim të pandemisë, Zeqiri pati planifikuar që objekti i Institutit Rajonal në Ferizaj të shfrytëzohet për trajtimin e pacientëve me coronavirus, mirëpo një gjë e tillë mbeti vetëm plan.

Drejtori i spitalit thotë se nuk gjeti përkrahje nga ish drejtori i Ministrisë së Shëndetësisë, Armend Zemaj, edhe pse ky i fundit, siç thotë Zeqiri, i kanë thënë se është prioritet.

“Ne e kemi bërë një plan të detajuar sa i përketë pajisjeve dhe pjesëve tjera përcjellëse që i nevojiten punëtorëve shëndetësor, këtë projekt e kemi dorëzuar në ShSKUK qysh nga 13 marsi i vitit 2020 që në atë kohë ministri i shëndetësisë Armend Zemaj i ka dhënë një prioritet për realizimin e këtij projekti por fatkeqësisht asnjëherë nuk është finalizuar, duke e parë situatën e tillë kemi qenë të detyruar që t’i lirojmë hapësirat tona dhe në këtë mënyrë ta menaxhojmë situatën e këtij virusi”, tregon ai.

Tutje ai tregon se asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës se pse nuk është realizuar ky projekt.

Mirëpo, drejtori dhe stafi menaxhues kanë menduar një plan tjetër. Në rast se situata me pandeminë tejkalon kapacitetet e spitalit atëherë do të shfrytëzohet hapësira e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në fshatin Noredime dhe shkolla fillore në fshatin Lloshkobare.

Aktualisht spitali është duke shfrytëzuar edhe një pjesë të objektit të QKMF-së apo Emergjencës Primare për pacientët me COVID-19.

“Përveç dializës, gjinekologjisë, dhe shërbimit emergjent, ndërsa shërbimet e tjera janë të mbyllura të gjitha për shkak se kemi një numër të konsiderueshëm të pacientëve janë duke u trajtuar”, tregon tutje ai.

Sa i përket furnizimit me barna esenciale, Zeqiri potencon në dy javët e fundit me 80 % të barnave esenciale janë të furnizuar ndërsa procedurat tjera për trajtimin e pacientëve me coronavirus i kryejnë me buxhetin e spitalit.

Spitali i Ferizajt në mungesë të CT-së

Qytetarët e Ferizaj dhe rrethinës asnjëherë nuk kanë munduar të marrin Shërbimi Tomografi të Kompjuterizuar – CT për shkak se spitali regjional në këtë komuna nuk ka arritur asnjëherë të ofroj këtë shërbim.

Mirëpo, sipas drejtori të spitalit, një gjë e tillë do të përfundoj pas dy muajve, pasi që spitali e ka fituar projektin për furnizim me CT nga Ministria e Shëndetësisë, procedurat e tenderimit për këtë projekt do të bëhen nga UNPOS.

“Brenda 2 muajve do të realizohet ky projekt dhe do të finalizohet kështu që spitali I përgjithshëm i Ferizajt për herë të parë do të ketë një CT 28 shtresore mamografi dhe komplet kabinetin për radiologji, që do t’i plotësojë kërkesat për regjionin tonë”, thot ai.

Mungesa e infermierëve

84 specialistë janë të angazhuar për trajtimin e pacientëve të infektuar me coronavirus nën udhëheqjen e infektologëve, pulmologëve dhe anesteziologëve.

Zeqiri, thotë se kanë nevojë për rritje të stafit për infermierë, përderisa spitali ka një infektolog dhe tre pulmologë.

“I kemi 84 specialist të cilët janë të angazhuar nën udhëheqjen e infektologëve, pulmologëve dhe anesteziologëve për trajtimin e COVID-19, sa i përketë specialistëve kemi numër të mjaftueshëm. Mungesë kemi për të rritur kualitetin karshi nevojave që kanë pacientët për infermierë, ne i kemi bërë kërkesat e nevojshme”, tha ai.

Kosova është duke u ballafaquar me pandeminë SARS-CoV-2 që nga 13 marsi i vitit të kaluar. Deri më tani janë infektuar 92.198 persona dhe 1.894 raste të vdekjes.