Ilir Murtezaj - Foto: REL

Drejtori i shkarkuar i ATK-së akuzon kryeministrin Hoti për nepotizëm

Drejtori tashmë i shkarkuar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK),Ilir Murtezaj, në një konferencë për media ka folur në lidhje me shkarkimin e tij nga kjo detyrë.

Ai ka akuzuar kryeministrin e vendit, Avdullah Hotin, se në kohën kur ishte Ministër i Financave në qeverinë Mustafa, ka lejuar që të punësohen njerëz në ATK.

Sipas tij, në ATK janë punësuar fëmijë të gjyqtarëve, deputetëve, e të gazetarëve.

“Ky Kryeministër ka qenë Ministër i Financave dhe ka lejuar që të pranohen njerëz në ATK. I ka marrë fëmijë të gjyqtarëve, deputetëve dhe gjithë atyre njerëzve. Për të bërë krimin e organizuar, për t’i mshel gojat e të gjithëve, kjo është nepotiz;m. Ai e din edhe për familjarët që ka punësuar në Ministrinë e Financave”, ka thënë Murtezaj.

Ai ka deklaruar se këto informata i ka dorëzuar tek organet e drejtësisë, ndërsa ka bërë thirrje që të hetohen, sipas tij, deri në vënien para përgjegjisë të zyrtarëve të ATK-së.

Murtezaj deklaroi se ka pasur dyshime për një rrjet kriminal brenda ATK-së, që nga viti 2016, e që sipas tij, për këtë ka qenë në dijeni Avdullah Hoti, që nga koha kur ishte Ministër i Financave.

“Ka rreth 7 mijë e 200 biznese me qarkullim deri në 3,5 miliardë euro të cilat nuk kanë paguar fare tatim. Dhe për këtë kanë qenë në dijeni ish menaxhmenti i ATK-së dhe ish ,inistri i Financave e tash kryeministër i vendit”, ka thënë Murtezaj.

Ai deklaroi se janë lejuar që të fshihen miliona euro borxhe të bizneseve.

Ilir Murtezaj është shkarkuar gjatë ditës së djeshme nga kryeministri Avdullah Hoti, bashkë me drejtorin e Doganës dhe atë të Policisë. Arsyetimi i Qeverisë ishte për shkak të mungesës së performancës.

Hoti shkarkon nga detyra edhe Drejtorin e Doganës dhe atë të ATK-së