Hoti shkarkon nga detyra edhe Drejtorin e Doganës dhe atë të ATK-së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Rashit Qalaj, ka vendosur që të shkarkoj edhe dy drejtor të tjerë, atë të Doganës së Kosovës dhe ATK-së.

“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në rekomandimet e Ministres së Financave, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka marrë vendim për t’i liruar nga detyra ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu Qeveria ka njoftuar edhe për ushtruesit e detyrës së këtyre dy institucioneve.

“Në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi, Kryeministri Hoti ka emëruar z. Bajram Rexha, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës, dhe z. Ekrem Hysenaj ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com raportoi sot edhe për suspendimin e Qalajt nga ana e Kryeministrit Hoti. Si ushtrues detyre në Policinë e Kosovës është caktuar Samedin Mehmeti.

Kryeministri Hoti shkarkon Rashit Qalajn