Drejtori i Shërbimit Korrektues: Pati tentim sulm ndaj Granit Plavës, u parandalua rrahja
Drejtori i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani, ka deklaruar se ndaj Granit Plavës, njëri prej të dyshuarve në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt, ka pasur tentim për sulm ndaj tij në qendrën e paraburgimit ku po qëndron.
Sipas Dibranit, stafi ka reaguar menjëherë dhe është parandaluar rrahja.
Ai gjithashtu ka mohuar raportimet se Plavës i është gjetur litar.
“Nuk ka rrahje, ka tentim të sulmit ndaj tij por stafi ka reaguar menjëherë dhe është parandalu rrahja. Ndërsa sa i përket litarit nuk është e vërtetë që i është gjetur sepse të burgosurit zakonisht kontrollohen dhe për shkak se janë duke u trajtuar si persona me rrezikshmëri të lartë janë në përcjellje të vazhdueshme” – ka thënë Dibrani për KALLXO.com.
Sipas tij, informacionet fillestare janë se Granit Plava ka tentuar ta dëmtojë një batanije dhe se stafi menjëherë ka reaguar. “Nuk ka pasur asnjë tentim për t’u vetëlënduar apo vetëvrarë” – tha drejtori i Shërbimit Korrektues.
Lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt deri tani janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Në dosjen e prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com, përmendet fakti se rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë, me maskë në kokë e i armatosur kishte dalë para veturës tashmë i dyshuari Granit Plava dhe nga një afërsi e kishte qëlluar me plumb në qafë Liridona Ademajn.
Nga plaga që ka marrë Liridona Ademaj kishte vdekur ndërsa prokuroria përshkruan edhe detaje të tjera të cilat tregojnë inskenimin e një grabitje e cila sipas prokurorisë besohet të jetë një vrasje me pagesë.
Prokuroria në dokumentin e saj me të cilin ka kërkuar edhe masën e sigurisë-paraburgimin e tre të dyshuarve, Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, ka treguar rolin e secilit prej tashmë të pandehurve në rast.
Fillimisht, Naim Murseli pretendohet sipas dosjes që ishte marrë vesh me Granit Plavën që kur të dalë me maskë ta qëlloj me armë Liridona Ademajn, Naimi me dy fëmijët të largohej nga vetura fillimisht.
Raportimet e KALLXO.com – LINK