(Arkiv) Pamje nga protesta për Liridona Ademajn - Foto: KALLXO.com

Intervistimi i të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, reagon vëllai i saj

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka shkruar se këtë javë prokurorja e rastit së bashku me hetuesit kanë intervistuar të dyshuarit për vrasjen e motrës së tij.

Ai ka thënë se familja Ademaj është e kënaqur me mënyrën se si prokurorja ka organizuar intervistimin e të dyshuarve dhe se ka besimin e tyre të plotë.

“Ashtu siç parashihet me ligj, ne si familje kemi marrë pjesë në intervistim përmes avokatit tonë. Për të respektuar në plotni sekretin hetimor dhe procedurën penale, ne nuk do të komentojmë përmbajtjen e deklarimeve. Mirëpo, duam ta përmendim që jemi të kënaqur me mënyrën se si prokurorja ka organizuar intervistimin e tyre dhe kemi besim të plotë në të. Drejtësia duhet dhe do të triumfojë, për Liridonën tonë dhe për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara”- ka shkruar Ademaj.

Liridona Ademaj u vra derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murselin, dhe dy fëmijët, më 29 nëntor 2023.

Tre të dyshuar për vrasjen e saj tashmë janë arrestuar.

Në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.