Naimi Murseli shkon në prokurori, pritet të vazhdojë intervistimi i tij

Prokuroria Themelore e Prishtinës sot pritet të vazhdojë me intervistimin e të dyshuarit Naim Murselit lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademaj.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, e cila tha se në sesionin e pasdites pritet të vazhdojë intervistomi i të mbrojturit të tij.

Murseli është i dyshuar në bashkëkryerje për vrasje të rëndë bashkë me Granit Plavën i cili dyshohet për vrasje të rëndë dhe Kushtrim Kokalla i cili dyshohet për marrëveshje për vrasje të rëndë. Murseli e Plava dyshohen secili veç e veç për edhe për mbaje në pronësi kontroll edhe posedim i pa autorizuar i armëve.

Murseli intervisimin e tij në Prokurori e  kishte filluar me 24 janar të këtij viti.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për tre të dyshuarit?

Sipas Prokurorisë, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së saj, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur  si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka.”

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla,i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të vitit 2023 rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi.”

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera, Liridona Ademaj.

Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshihet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend.

Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.