Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha gjatë vizitës tek policët e lënduar dhe plagosur gjatë zhvillimit të rastit të grabitjes në Suharekë. Foto: Policia e Kosovës

Drejtori i Policisë vizitoi tre policët e plagosur dhe lënduar gjatë operacioneve kundër të dyshuarve për grabitjen në Suharekë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot ka vizituar tre zyrtarët policorë që u plagosën dhe lënduan gjatë zhvillimeve në rastin e grabitjes së armatosur në Suharekë.

Në një njoftim për media është thënë se Hoxha me bashkëpunëtorë kanë vizituar policin e plagosur dhe atë të lënduar, të cilët intervenuan në parandalim të grabitjes së armatosur të ndodhur më 22 nëntor.

Më pas, në orët e pasdites, drejtori Hoxha vizitoi në SHSKUK edhe zyrtarin policor i cili u plagos sot gjatë realizimit të operacionit policor për identifikimin dhe arrestimin e grabitësve të rastit në Suharekë.

Plagosja e zyrtarit ka ndodhur si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri drejt Policisë nga njëri prej grabitësve.

Në njoftim u tha se veprimet profesionale të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje u detyruan të përdorin forcën proporcionale, bënë neutralizimin e grabitësit që shtiu me armë zjarri, si dhe arrestimin e disa të dyshuarve të tjerë.

Drejtori Hoxha u dëshiroi shërim të shpejtë zyrtarëve policorë dhe njëherit i falenderoi ata për punën, guximin dhe përkushtimin e vazhdueshëm për t’u shërbyer qytetarëve dhe vendit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha gjatë vizitës tek policët e lënduar dhe plagosur gjatë zhvillimit të rastit të grabitjes në Suharekë. Foto: Policia e Kosovës
Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, gjatë vizitës tek policët e lënduar dhe plagosur. Foto: Policia e Kosovës