Foto: Policia e Kosovës
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, viziton Banjskën
Pas zhvillimeve të fundit të ndodhura në fshatin Banjskë të Zveçanit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga menaxhmenti i lartë i PK-së, kanë qëndruar në këtë zonë në veri të vendit.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj vizite menaxhmenti i Policisë u shoqërua nga zëvendëskomandanti i KFOR-it si dhe takuan këshilltarin e EULEX-it për drejtorinë rajonale Mitrovicë veri, me të cilët diskutuan rreth situatës së sigurisë.
“Gjatë vizitës në disa lokacione në fshatin Banjskë ata takuan dhe inkurajuan zyrtarët e institucioneve të sigurisë të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po kryejnë detyrat në mënyrë aktive në teren, me qëllim të krijimit të një sigurie më të madhe për të gjithë qytetarët pa dallim”- thuhet në njoftim.
Po ashtu, drejtori i Policisë siguroi që PK-ja do të vazhdojë t’u ofrojë ndihmë qytetarëve sipas nevojave dhe kërkesave të tyre.
Në njoftim thuhet se Hoxha shprehu mirënjohje ndaj zyrtarëve policorë dhe i falënderoi ata për punën e tyre të suksesshme dhe profesionale në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe terroriste.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.
Organet e rendit konfirmuan se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.