COVID-19

Drejtoresha e QKMF-së në Viti: Po marrim ankesa e kërcënime nga qytetarët

Rritja e rasteve me COVID-19 ka filluar të vështirësojë punën e stafit shëndetësorë në Viti.

Drejtoresha e QKMF-së në Viti, Vjollca Kadolli, ka treguar se kanë filluar të marrin ankesa e kërcënime nga qytetarët në pamundësi për t’i ofruar shërbime mjekësore secilit nga qytetarët.

“Nëse vazhdojmë kështu, do ta kemi të pamundur të plotësojmë kërkesat e të gjithëve. Nuk do doja të mbeten qytetarët pa shërbime në mungesë kapacitetesh mjekësore. Prandaj, kujdesuni, respektoni rekomandimet, NDALNI DALJET E PANEVOJSHME në grupe. Stafi shëndetësorë veçse ka filluar të marrë ankesa e kërcënime nga qytetarët në pamundësi t’i ofroj secilit qytetarë shërbime sipas kërkesave me kohë në shtëpi. Janë muaj të tërë thirrjesh tona, në mënyrë që mos tē vijmë në këtë situatë që kemi ardhur sot”, ka shkruar Kadolli në Facebook.

Komuna e Vitisë sot ka shënuar 14 raste të reja me coronavirus, ndërsa nga rasti i parë i paraqitur me COVID-19 e deri më tani në Viti janë shënuar 562 raste me COVID-19.

“4 raste nga qyteti i Vitisë, 2 nga Pozherani, 1 nga Radivojci, 1 nga Tërpeza, 2 nga Lubishta, 1 nga Sllatina e Epërme,1 nga Devaja dhe 2 nga Skifteraj”, ka shkruar Kadolli.

Drejtoresha tutje ka bërë thirrje që të respektohen masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes stërpikave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes.

Kjo sëmundje nisi të përhapej në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.