Dosja e Prokurorisë ndaj dy kosovarëve që shisnin drogë në Gjermani

Gjykimi ndaj të akuzuarve Fatmir Musliji dhe Brahim Xhemjali, dështoi për shkak të mospranisë së të akuzuarit Musliji.

Ata akuzohen nga prokuroria se në bashkëpunim si një grup kriminal kanë shitur dhe transportuar heroinën, me qëllim të përfitimit pasuror.

Për mungësen e të akuzuarit Musliji, avokati Besnik Berisha i dorëzoi një vërtetim të nxjerrë nga QKMF-ja në Lipjan, ku Berisha sqaroi për trupin gjykues se ishte njoftuar nga persona të tretë për mungesën e të akuzuarit, dhe këtë vërtetim e kishte kërkuar për korrektësi ndaj gjykatës.

“Do të ofrojmë edhe raporte mjekësore tjera me kohë”- tha ai para trupit gjykues të përbërë nga Mentor Bajraktari – kryesues, Lutfi Shala dhe Kujtim Krasniqi anëtarë.

Tutje, avokati Berisha theksoi se nuk ka qenë e mundur të realizohej marrëveshja për pranim të fajësisë për shkak të angazhimeve të tij subjektive.

Ndryshe nga i akuzuari që mungoi, dëshmitarja Flaka Ahmeti u paraqit në seancë, e cila ishte planifkuar të dëgjohet për sot.

Kurse dëshmitari Ahmet Baftiu, i cili sipas dosjes të prokurorisë figuron të jetë prindi i të akuzuarit Fatmir Musliji, gjykatësi njoftoi se i njëjti do të sillet me forcë.

Vepra penale e kryer sipas dosjes ishte kryer në dhjetorin e vitit 2010, ku i akuzuari Fatmir Musliji akuzohet se sasinë prej 517 gramëve e ka organizuar shitjen në Gjermani në vlerë të 8 mijë eurosh.

Tutje, sasia tjetër që i njëjti akuzohet se e ka organizuar shitjen është 2 kg me ëmim prej 32 mijë eurosh, në Freiburg.

Kurse, në gusht të vitit 2011 i akuzuari ka organizuar shitjen e 5 kg heroinë, për çmim prej 80 mijë eurosh, me shërbim transportues prej 400 eurosh Kosovë-Gjermani.

Në aktin akuzues përshkruhet se substancën narkotike, heroinën Musliji e mbante në shtëpinë e të akuzuarit Brahim Xhemajli, i cili pastaj e kishte matur dhe paketuar në paketime për shitje.

Prokuroria ngarkon Muslijin se e ka udhëhequr grupin ku bënte pjesë edhe i akuzuari Xhemjali, duke e mbikëqyrur dhe udhëhequr.

Brahim Xhemajli përfaqësohet nga avokati Fatlum Podvorica sipas detyrës zyrtare.

Aktakuza thotë se për çdo dërgesë Musliji përdorte numër të ndryshëm kontakti, për të organizuar shitjen në shtetet përendimore, kryesisht në Gjermani përmes rrugëve tokësore, dhe një pjesë të vogël edhe në  tregun kosovar.

Aktakuza e vitit 2013 përfaqësohet nga prokuroja Merita Bina- Rugova, kurse në seancën e sotme zëvendësim ishte prokurorja Florije Shamolli.

Në vitin 2018, Fatmir Musliji ishte dënuar nga gjykatësja Suzana Çerkini me dënim 10 vjet burg e 10 mijë euro gjobë, ku i njëjti ishte alivanosur.

Musliji ishte dënuar me burgim dhe gjobë vetëm për shitje e posedim narkotikësh, ndërsa ishte liruar nga akuza për krim të organizuar.

Në mesin e të akuzuarëve ishte edhe Zijadin Gashi, por ndaj tij procedura ka pushuar meqë i njejti ka ndërruar jetë.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apeli.

Gjykimi për këta të akuzuar do të vazhdojë më 16 dhe 17 nëntor.