Foto; KALLXO.com
Dosja: Polici nga Lipjani ngacmonte vajzën në 'Kafen e Muzikës
Në regjistrat policorë figurojnë dosje të shumta të personave të cilët dyshohen për kryerje të veprave të ndryshme penale.
Ndër to ka edhe dosje në të cilat përshkruhen veprat penale e ku të dyshuar janë pikërisht zyrtarët policorë – ata të cilët janë hallka e parë e zinxhirit të trajtimit të rasteve kriminale.
KALLXO.com në emisione e hulumtime të shumta ka treguar për shumë raste konkrete ku zyrtarët policorë kanë qenë të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
Qindra zyrtarë policorë sipas të dhënave të Policisë së Kosovës janë duke u përballur me raste të ndryshme e vepra të ndryshme penale të cilët dyshohet se i kanë kryer ose janë përfshirë në to.
Në emisionin e sotëm “Kallxo Përnime” po trajtohet rasti i një zyrtari policor të Lipjanit, i cili brenda më pak se 1 viti u arrestua dy herë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të ngacmimit.
Dosja penale e tij fillimisht u hap në korrik të vitit të kaluar pasi një grua kishte raportuar se po ngacmohej nga polici me anë të mesazheve.
Viktima, një shtetase e Shqipërisë e cila punon në një kafene në rrethinën e Lipjanit, kishte deklaruar në Polici se kishte tentuar vetëvrasjen pasi kishte pasur probleme me zyrtarin policor.
Zyrtari policor së bashku me viktimën sipas deklarimeve zyrtare kanë bashkëjetuar për disa muaj. Madje viktima thotë se polici e kishte ngacmuar me fjalët se “nëse nuk e hap telefonin e harron Lipjanin po e din ti çka” si dhe me fjalët “punë kurrë në Lipjan më ti, nëse nuk e hap telefonin tani që po të thirr”.
Edhe fjalë të tjera drejtuar viktimës, kjo e fundit i kishte raportuar në polici nën frikën e kërcënimit nga ana e zyrtarit policor.
Në korrik të vitit të kaluar, viktima, punëtore e një kafeneje në Lipjan, ishte nisur drejt stacionit policor disa ditë pasi kishte tentuar vetëvrasjen me disa barëra të ndryshme.
Ajo kishte deklaruar të gjitha problemet që kishte pasur me policin deri sa kishte pranuar se më herët nuk i kishte raportuar ato.
“Që nga fillimi i lidhjes tonë dhe deri më tani me përgjegjësi ligjore deklaroj se A…. A…. 4- 5 herë ka përdorur dhunë fizike ndaj meje (me shuplakë, herë pas herë edhe më ka ngulfatur duke më kapur për fyti). Asnjëherë nuk e kam raportuar rastin në polici duke menduar dhe shpresuar se ai do të përmirësohet”, kishte deklaruar viktima në Polici.
Ajo kishte dhënë detaje të një rasti që kishte ndodhur dy javë para se të niste procedurat për të raportuar policin me të cilin bashkëjetonte.
“Para dy jave deri sa kam qenë në restorant në Lipjan rreth orës 20:00 në prani të pronarëve të restorantit, punëtores dhe të gjithë të pranishmëve tjerë diku 13 persona A… A…. më ka sulmuar fizikisht duke më goditur shuplakë pastaj m’i ka vënë thonjtë në fyt dhe më ka përplasur për dyshemeje- për shkak të revoltës së tij ngase unë të njëjtit i kam bllokuar të gjitha mundësitë që ai të më kontaktojë”, kishte deklaruar tutje viktima në stacion policor.
Edhe për këtë rast ajo thotë se nuk e kishte raportuar ndërsa tregoi se pse kishte tentuar më të keqen për veten.
“Unë pastaj mora makinën time dhe e di që kam shku në banesë në Fushë Kosovë dhe nga depresioni i madh unë kam përdorur tableta të llojit Xanax dhe një lloji tjetër për të cilin nuk e di çfarë është. Pasi që i kam pi ato tableta unë e kam njoftuar A…. dhe ky pastaj e ka njoftuar një shoqe timen e cila ka ardhur menjëherë në banesën time ku më ka gjetur të alivanosur. E di që disa ditë kam qenë pa vetëdije në spital”, kishte rrëfyer viktima para hetuesve policorë.
Me të marrë këto informacione, Policia kishte njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës, si organ i cili merret me hetimin e rasteve penale ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës.
Këta të fundit kishin arrestuar zyrtarin policor dhe me vendim të prokurorit polici atëkohë ishte dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ishte suspenduar.
KALLXO.com për të njëjtin kishte siguruar dosjen e kallëzimit penal për veprën të cilën i ngarkohej ndërsa nga Prokuroria Themelore në Prishtinë është thënë se ndaj të njëjtit ishte ngritur aktakuzë në nëntor të vitit 2021 për ngacmim.
Vepra penale e ngacmimit është e dënueshme deri në 3 vjet burg ndërsa në rast se vepra kryhet me persona brenda familjes e njëjta vepër është e dënueshme deri në 5 vite burgim.
“Rastit të cilit ju keni referuar ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, më 11.11.2021, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.A., për shkak të veprës penale “Ngacmimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i rastit, aktakuzën e ka proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar aktakuzën për KALLXO.com, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë së Prishtinës.
Anipse me aktakuzë të ngritur, zyrtari policor sërish u kthye në punë për të punuar ndërsa i njëjti u pajis edhe me armë zyrtare e mjetet tjera identifikuese të cilat lejojnë punën e tij si një pjesëtar të Policisë së Kosovës.
KALLXO.com disa herë radhazi ka kërkuar që të dijë nga ana e Policisë së Kosovës se pse të njëjtit zyrtar policor i ishte kthyer arma zyrtare e ishte uniformuar ndonëse ndaj tij figuronte dosja penale për ngacmim.
Policia e Kosovës, ka ofruar disa të dhëna në lidhje me rastet e raportuara për ngacmim dhe ngacmim seksual në të cilat vepra të dyshuar kanë qenë zyrtarët policorë.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, katër zyrtarë policorë janë dyshuar se kanë kryer veprën penale të ngacmimit.
Policia e Kosovës kur ishte pyetur për këtë çështje nuk kishte pranuar të japë detaje konkrete se pse kishte lejuar policin të rikthehej në vendin e punës ndërsa kishte shtuar se nuk kanë qenë të njoftuar se ndaj të njëjtit është ngritur një aktakuzë.
“Suspendimi është ndërprere me rekomandim të IPK-se. Nuk ka ndonjë njoftim se kundër punonjësit është ngritur aktakuzë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Policisë së Kosovës deri sa shpjegojnë procedurat administrative të cilat janë të parapara me rregullore brenda këtij institucioni të rendit dhe sigurisë.