Dosja- Polici dyshohet se kërkoi 50 euro ryshfet për të ia kthyer dokumentet kompanisë së autobusëve

Në fund të javës së kaluar, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar policor me inicialet S.Sh., nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Zyrtari policor dyshohet se kishte kërkuar një shumë parash nga një qytetar që t’i kthente librezën e qarkullimit.

IPK ka thënë se polici kishte kërkuar 50 euro nga qytetari për t’ia kthyer librezën e qarkullimit të cilën ia kishte konfiskuar.

Arrestimi i policit është bërë të premten e javës së kaluar, ndërsa vepra penale dyshohet se ka ndodhur dy natë më parë rreth orës 23:00.

Polici të shtunën ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake pas kërkesës së prokurorisë në Prishtinë për masën e sigurisë.

Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit, ndërsa gjykata ka vendosur që të shqiptoj masën e arrestit shtëpiak.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e gjykatës ndërsa në të jepen detaje se cili ishte arsyetimi i caktimit të masës më të lehtë për policin e dyshuar për marrje ryshfeti.

Dosja ndaj policit, flet se si i njëjti së bashku me kolegun e tij me datë 28 prill rreth orës 16:35, në udhëkryqin e rrugës “Lidhja e Prizrenit”, afër udhëkryqit me rrugën “Ilir Konushevci”, në cilësi të personit zyrtar, si polic së bashku me kolegun e tij ishin duke u marrë me një aksident trafiku.

Polici S.Sh., sipas dosjes së prokurorisë, e kishte ndaluar një autobus dhe nga shoferi kishte marrë librezën e qarkullimit nën arsyetimin se shoferi kishte thyer rregullat e trafikut duke hyrë në semafor të kuq si dhe nuk kanë respektuar urdhrin e personit zyrtar.

Tutje sipas dosjes, polici përmes telefonit ka kontaktuar me telefon njërin nga personat e autorizuar të kompanisë së autobusëve dhe i ka kërkuar shumën prej 50 eurove për të kthyer librezën e qarkullimit.

Në të njëjtën ditë rreth orës 23:00 para stacionit policor “veriu” në Prishtinë, personi i kontaktuar nga polici i kishte sjellë paratë dhe ia kishte dhënë ryshfet për të marrë librezën e qarkullimit të autobusit.

Në seancën e mbajtur sot, avokati i policit, ka kërkuar që masa e paraburgimit të mos caktohet ndaj klientit të tij për shkak se disa arsyetimeve.

Njëra nga to është edhe se polici vuan nga sëmundja e diabetit dhe duhet që gjatë gjithë kohës të mbajë me vete pajisjes mjekësore për matje të nivelit të sheqerit në gjak.

Masa e paraburgimit sipas avokatit do t’i shkaktonte pasoja të rënda policit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që ndaj policit i cili ishte arrestuar mbrëmë të caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata ka theksuar se në fazën e parë, pra të kërkesës për paraburgim, kërkesa ka qenë e pabazuar dhe se është i arsyeshëm caktimi i masës më të butë asaj të arrestit shtëpiak.

KALLXO.com raportoi , gjatë ditës së sotme në lidhje me arrestimin e policit.

Polici kërkoi 50 euro ryshfet që t’ia kthejë librezën e qarkullimit, dërgohet në mbajtje