Si i shpëtoi dënimit dhe aktakuzës polici e më pas sërish u arrestua për veprën e njëjtë penale?

Një zyrtar policor brenda më pak se një viti ishte arrestuar dy herë nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin se ka ngacmuar një grua, shtetase e Shqipërisë.

Dosja penale e cila figuronte në Prokurori dhe Gjykatë për të njëjtin deri para pak javësh, tregonte se i dyshuari e kishte ngacmuar me mesazhe viktimën e cila ishte punëtore në një kafene në rrethinë të qytetit të Lipjanit.

Deklarata e viktimës e dhënë në Polici në korrik të vitit të kaluar nuk fliste vetëm për ngacmim por edhe në disa raste për dhunë fizike.

Ajo kishte përshkruar disa raste për të cilat thotë se ishte goditur me shuplakë e madje ishte kapur për fyti nga zyrtari policor.

Këto veprime të policit e kishin shtyrë viktimën edhe të tentojë vetëvrasjen ndërsa pasi ishte stabilizuar me shëndet kishte vendosur që ta raportonte rastin në Polici.

Zyrtari policor në rastin e parë për të cilin ishte arrestuar në korrik të vitit të kaluar i kishte shpëtuar dënimit pasi që procedura në gjykatë ka shkuar me ndërmjetësim.

“Çështja penale e të pandehurit A.A është zgjedhur përmes ndërmjetësimit me numër të lëndës Nd.nr.4/22 dt.23.02.2022, e cila marrëveshje është aprovuar me aktvendim P.nr.594/21 të datës 04.02.2022 nga gjyqtari i çështjes Avdirrahman Gashi, Gjykata Themelore Prishtine-Dega Lipjan, sipas të cilit aktvendim në pikën 2 hudhet aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë PP.II.nr.3005/21 të datës11.11.2021 dhe pushohet procedura penale kundër të pandehurit A.A”, kishte thënë në një përgjigje para disa javës për KALLXO.com, Mirlinda Gashi zëdhënëse e Gjykatës së Prishtinës.

Pra Gjykata në Prishtinë ka thënë se ndaj policit A.A. ishte hedhur poshtë aktakuza në shkurt të këtij viti.

Dosja e Gjykatës së Prishtinës në lidhje me procedurën e ndërmjetësimit për rastin e parë nuk është bërë publike as pas kërkesës së ekipit të KALLXO.com.

Pra të njëjtit nuk kanë ofruar se cilat kushte janë diskutuar që të pushohej procedura penale ndaj policit dhe si u arrit ndërmjetësimi mes viktimës dhe të dyshuarit.

Vetëm disa ditë më pas, pra pasi që ndaj policit të pushohej procedura penale i njëjti sërish ishte arrestuar.

Edhe për herën e dytë polici nga Lipjani ishte arrestuar pas raportimit të së njëjtës viktimë dhe për të njëjtën vepër penale, atë të ngacmimit.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar zyrtarin  policor më 19.03.2022 me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “ngacmim”. Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar edhe ankuesen (femër – shtetase e Republikës së Shqipërisë) me të cilën i dyshuari kishte bashkëjetuar për disa muaj”, thuhet në njërën nga përgjigjet e IPK-së për ekipin e KALLXO.com.

Policia e Kosovës edhe kësaj radhe ka vendosur që të mos japë detaje se pse polici ende vazhdonte punën në polici ani pse i njëjti ishte arrestuar për një kohë të shkurtër dy herë për një vepër shumë sensitive.

“Lidhur me arrestimet per veprat penale per PK-në adresoju IPK-së”, thuhet në njërën nga përgjigjet e Policisë së Kosovës pas kërkesës së KALLXO.com për të ditur se pse ishte rikthyer në Polici i njëjti zyrtar policor.

Vepra penale e ngacmimit është e dënueshme deri në 3 vjet, ndërsa në rast se kjo vepër kryhet me anëtarë të familjes atëherë dënimi arrin deri në 5 vite burgim.

KALLXO.com kishte kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës edhe se sa herë ishte basitsur lokali ku pretendohet se kishte ndodhur problemi mes policit dhe shtetases së Shqipërisë vitin e kaluar.

PK nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje asnjëherë.

Por për të njëjtën çështje KALLXO.com kishte kontaktuar me njërin nga pronarët e lokalit ku pretendon viktima se kishte pasur konfliktin vitin e kaluar me zyrtarin policor.

Ai në një bisedë telefonike kishte pranuar se lokali i cili funksionin si lokal i muzikës, nuk ishte bastisur nga Policia ndonjëherë për gjëra ilegale vetëm për çështjen e respektimit të masave.

Aktakuza për rastin e parë ishte ngritur në nëntor të vitit të kaluar ndërsa polici ishte arrestuar sërish në më 19 mars për veprën e njëjtë që dyshohet se ka kryer ndaj viktimës.

Në rastin e parë, polici së bashku me viktimën sipas deklarimeve zyrtare kanë bashkëjetuar për disa muaj. Madje viktima thotë se pas një diskutimi mes tyre, polici e kishte ngacmuar me fjalët se “nëse nuk e hap telefonin e harron Lipjanin po e din ti çka” si dhe me fjalët “punë kurrë në Lipjan më ti, nëse nuk e hap telefonin tani që po të thirr”.

Edhe fjalë të tjera drejtuar viktimës, kjo e fundit i kishte raportuar në polici nën frikën e kërcënimit nga ana e zyrtarit policor.

“Që nga fillimi i lidhjes tonë dhe deri më tani me përgjegjësi ligjore deklaroj se A…. A…. 4- 5 herë ka përdorur dhunë fizike ndaj meje (me shuplakë, herë pas herë edhe më ka ngulfatur duke më kapur për fyti). Asnjëherë nuk e kam raportuar rastin në polici duke menduar dhe shpresuar se ai do të përmirësohet”, ishte deklaruar viktima në polici.

KALLXO.com disa herë ka kërkuar që të kontaktojë direkt me zyrtarin policor por i njëjti ka qenë i paarritshëm ndërsa kemi shkuar edhe më tutje.

KALLXO.com ka tentuar që policin ta takojë edhe në stacion policor por që nga zyrtarët policor në Lipjan kemi mësuar se i njëjti ishte transferuar në Prishtinë.

Edhe sot KALLXO.com nuk ka informacione se çfarë masash janë duke ndërmarrë Policia e Kosovës për rastin e policit që u arrestua për ngacmim.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për raste të shumta ku  të dyshuar për vepra të ndryshme penale kanë qenë vetë zyrtarët policorë të cilët janë të thirrur për të ofruar rend dhe siguri te qytetarët.