Levent Kasemi

Dorëhiqet edhe një drejtor i Haskukës, Prizreni mbetet pa pesë drejtorë komunalë

Pesë nga 13 drejtoritë e Mytaher Haskuka kanë mbetur pa drejtorë. Kjo pasi disa nga këta drejtorë u shkarkuan e disa u dorëhoqën.

Kryetari Mytaher Haskuka ditë më parë kishte shkarkuar tre drejtorët që vinin nga radhët e LDK-së, ndërsa sot dy drejtorët kanë dhënë dorëheqje.

KALLXO.com mëson se edhe Drejtoria për Shërbime Publike në Prizren ka mbetur pa udhëheqës pasi Levent Kasemi ka dhënë mbrëmë dorëheqje të parevokueshme.

Të njëjtën e ka konfirmuar edhe vet Kasemi në një deklaratë për KALLXO.com

“Po është e saktë. Tani më e kam riaktivizuar kërkesën time sërish. Por, për shkak korrektësisë dhe bashkëpunimit, kishte me qenë më e udhës që ky lajm të plasohet nga Kryetari me të gjitha pyetjet tjera të cilat mund të dalin nga ky lajm”, është deklaruar Kasemi.

Kasemi është një ndër drejtorët që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes në Prizren.

Sot edhe drejtori për Ekonomi dhe Financa Furkan Erguler ka dhënë dorëheqje pas katër muajsh që udhëhoqi me këtë dikaster.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vet drejtori përmes një publikimi në Facebook, ndërsa sipas njoftimit të KDTP kjo dorëheqje ka ardhur pas kërkesës së kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ditë më parë Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka i ka shkarkuar tre drejtorët e Komunës së Prizrenit dhe nënkryetarin e Komunës që vijnë nga LDK-ja, me të cilën deri më sot VV-ja ka qenë në bashkëqeverisje në këtë komunë.

Të shkarkuar me vendim të Haskukës,  janë nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Eshref Memaj; Drejtori i Urbanizmit, Fatmir Memaj; Drejtori i Bujqësisë, Egzon Elshani dhe Drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi.

Drejtoritë e Komunës që nga ditët e para të qeverisjes dolën të jenë sfidë për Haskukën, të cilat sollën deri tek ndërprerja e koalicioneve me partnerët bashkëqeverisës.