Haskuka i 'hakmerret' LDK-së, i shkarkon drejtorët e Komunës në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka i ka shkarkuar tre drejtorët e Komunës së Prizrenit dhe nënkryetarin e Komunës që vijnë nga LDK-ja, me të cilën deri më sot VV-ja ka qenë në bashkëqeverisje në këtë komunë.
Të shkarkuar me vendim të Haskukes,  janë nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Eshref Memaj; Drejtori i Urbanizmit, Fatmir Memaj; Drejtori i Bujqësisë, Egzon Elshani dhe Drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi.
Kryetari i degës së LDK-së në Prizren Anton Quni e ka konfirmuar për KALLXO.com se sot ka pranuar një letër nga kryetari i Komunës së Prizrenit Haskuka nëpërmjet së cilës e ka njoftuar për shkarkimin e drejtorëve.
“Në letrën e pranuar nga Haskuka u njoftova për shkarkimin e drejtorëve dhe të nënkryetarit, në këtë letër si arsye e shkarkimit përmendet rrëzimi i Qeverisë dhe nëdrprerja e koalicionit në nivel qendror”, tha Quni për KALLXO.com.
Anton Quni tha se Haskuka nuk i ka dhënë asnjë arsye se shkarkimi i drejtorëve ndërlidhet me punën e tyre në nivel Komunal, duke përmendur se drejtorët e LDK-së kanë treguar një performancë të mirë.
“Shkarkimi i drejtorëve nuk ndërlidh punën e tyre në nivel Komunal, edhe pse kosndieroj që drejtorët kanë treguar performancë të mirë të punës, por Haskuka nuk e arsyetoi shkarkimin e drejtorëve me punën e tyre në Komunë por vetëm ka përmendur faktin e rrëzimit të Qeverisë në nivel qendor duke thënë se nuk mund të vazhdojmë me tutje me bashkëpunimin“, përfundoi Anton Quni.
Në dy vite qeverisje në Komunën e Prizrenit, drejtoritë e Komunës kanë qenë sfidë për kryetarin Mytaher Haskuka.
Haskuka kohë më parë  i kishte dhënë  fund koalicionit me LDK, pak minuta pasi opozita i rrëmbeu pozitën e kryesuesit të Asamblesë Komunale si pasojë e mos marrëveshjes ndërmjet partnerëve të koalicionit.
Nënkryetari dhe drejtorët e shkarkuar të LDK-së nga Haskuka