Gjykata i liroi ish-drejtorët komunalë nga akuza e keqpërdorimit të detyrës

Gjykata e Prizrenit pas katër vitesh gjykim nuk arriti të gjejë prova dhe rrethana fajësuese kundër ish-drejtorëve komunalë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës.

“Të akuzuarit… i liron nga akuza pasiqë nuk është provuar se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale-objekt i akuzës”- tha gjykatësja Teuta Krusha.

Ata janë gjykuar se në cilësi të anëtarëve të komisionit, kanë dhënë në shfrytëzim dhe këmbim pronën e paluajtshme të komunës duke shkelur kriterin e ankandit publik.

Të përfshirë në akuzë janë Levent Kasëmi, ish-drejtor i Shërbimeve Publike; Fejzë Kabashi, ish-drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale; Refik Shaqiri, ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit; Ganimete Babuna, ish-asambliste e Kuvendit Komunal të Prizrenit, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta.

Prokuroria pretendonte se të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doçi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen F. B., përkundër faktit se i dëmtuari Doçi kishte ofruar çmimin më të lartë në shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin i cili gjendej në sheshin “Shatërvan”. Përkundër kësaj, i njëjti lokal i ishte dhënë në shfrytëzim ofertueses me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.

Vendimi u mor të martën nga kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha me anëtarët Luan Berisha dhe Vjollca Buzhala. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori Mehdi Sefa.

Gjykata udhëzoi palët se ndaj këtij vendimi kanë të drejtë ankese në afatin ligjor prej 30 ditësh pas marrjes së vendimit.

Të dëmtuatit u udhëzuan në kontest civil. Më 29 nëntor 2019, nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasëmi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna u akuzuan se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doçi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doçi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja F. B., nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale. Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1. Më shumë informacione dhe raportime të KALLXO.com për këtë rast mund t’i gjeni duke vizituar këtë

LINK