Ilustrimi: Krenar Ferizi

Nga “Me mytën e mysim korrupsionin“, në “Myta ecën vet“

“Me Mytën e mysim korrupsionin”, ishte parulla kryesore e liderit të LVV-së dhe ish-kryeministrit Albin Kurti, në fushatën e vitit 2017 në Prizren.

Në një koalicion të gjerë, me LDK-në Nismën, dhe partitë që përfaqësojnë minoritet në Komunën e Prizrenit, Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes dhe partnerët e tij rrëzuan nga qeverisja 9 vjeçare PDK-në, që “Jeruzalemin” e tyre e qeverisën me Ramadan Mujën dhe e humbën me kandidatin Shaqir Totaj.

Myta siç e njohin në Prizren, në dy vite e gjysmë qeverisje në Komunën e Prizrenit, fillimisht ankohej për bllokadën dhe pengesat që po i krijojnë në qeverisje institucionet qendrore si OShP dhe institucione tjera.

Më vonë Haskuka akuzat dhe ankesat e tij nëpërmjet disa shkrimeve të quajtura “analet e një qyteti të kapur”, filloi t`i drejtonte ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës, ndërsa më vonë shkoi një hap më tutje duke akuzuar edhe shoqërinë civile, e në raste të caktuara edhe mediume dhe gazetarë që kritikonin punën dhe mënyrën e tij të qeverisjes.

Kur Haskuka po hynë në vitin e tretë të qeverisjes në Prizren, përpos që nuk e ka shumicën në Asamblenë Komunale, Vetëvendosje e ka humbur edhe pozitën e kryesuesit të Asamblesë Komunale të cilën “dinakërisht “ e rrëmbeu opozita, ndërsa tashmë Haskuka ka ndarë rrugët thuajse me të gjithë partnerët e qeverisjes, dhe është në rrugë të mbetet i vetmuar drejt fundit të mandatit të tij si kryetar i Komunës.

Drejtoritë e Komunës që nga ditët e para të qeverisjes dolën të jenë sfidë për Haskukën, rastisën të jenë edhe “sebep” i ndarjes me partnerët e koalicionit.

Me anë të shkarkimeve të drejtorëve duket që Haskuka ka zgjedhur formën për t`i dërguar sinjalet tek partnerët e koalicionit për prishjen e koalicioneve.

Në fillim të qeverisjes koalicioni me dy subjektet LDK dhe Nisma, si dhe me partitë minoritare e detyroi Haskukën që të ndante “ kulaçin “ e qeverisjes me partnerët e koalicionit.

Burrat dominojnë drejtoritë në Komunën e Prizrenit, përderisa Mytaher Haskuka ka dështuar të mbaj premtimin e tij për emërimin e pesë grave në udhëheqje të drejtorive.

Në nëntor të vitit 2017 Gazeta Jeta në Kosovë, ka raportuar për premtimet e kandidatëve për kryetar të Komunave për përfshirjen e grave në krye të Drejtorive Komunale.

Haskuka gjithashtu dështoi të mbante premtimin se do të udhëhiqte me Komunën e Prizrenit me vetëm 10 drejtorë, ndërsa me të filluar qeverisjen emëroi 11 drejtorë, të cilave më vonë iu shtuan edhe dy drejtori tjera.

Shkarkimet dhe ndërprerja e koalicioneve

Duket që Myta ka gjetur një formë unike për të njoftuar partnerët për ndërprerjen e koalicionit – shkarkimi i drejtorëve të tyre.

Gani Gërmizaj ish drejtori i Arsimit ishte “preja” e parë e Haskukës, i cili u shkarkua në një kohë kur konkurset për mësimdhënës ishin “top temë” në Komunën e Prizrenit.

Haskuka shkarkoi drejtorin Gërmizaj, e pa kaluar 24 orë Zafir Berisha i dha fund koalicionit me Haskukën, duke u larguar nga qeverisja, por dy drejtorët e Nismës Ehat Oreshka dhe Osman Hadjari, vazhduan t`i qëndrojnë besnik Haskukës dhe u larguan nga Nisma për të vazhduar të mbajnë detyrat e tyre.

Në muajin shkurt pas një seance “triumfi” për opozitën e cila i rrëmbeu Haskukës dhe Vetëvendosjes pozitën e kryesuesit të Asamblesë Komunale, Haskuka në një konferencë deklaroi se i jep fund koalicionit me LDK-në.

Kryetari Mytaher Haskuka dhe Vetëvendosje në Asamblenë Komunale kanë vetëm 7 asamblistë, ndërsa opozita përbën shumicën e Kuvendit Komunal dhe PDK ka kryesinë e saj.

“Ne vulosëm fitoren e Haskukës, ai sot vendosi të rrugëtojë pa ne”, kishte thënë kryetari i degës së LDK-së në Prizren Anton Quni, por duket që një vazhdim i qeverisjes në heshjte vazhdoi deri ditën e djeshme, kur Haskuka “u kujtua” se kohë më parë kishte ndërprerë koalicionin me LDK-në por kishte “harruar” se tre drejtorët dhe nënkryetarin që vijnë nga radhët e LDK-së vazhdonin të jenë ende në detyrë.

Haskuka nëpërmjet një letre dërguar kryetari të degës së LDK-së në Prizren Anton Quni, në mënyrën e tij të preferuar i dha fund përfundimisht koalicionit duke i shkarkuar drejtorë dhe nënkryetarin e Komunës nga radhët e LDK-së.

Prishja e koalicionit ndërmjet LVV-së dhe LDK-së në nivel qendror dhe rrëzimi i Qeverisë Kurti, ishin arsyet për të cilat Haskuka kishte njoftuar Anton Qunin për ndërprerjen e koalicionit.

Ishin pikërisht Haskuka e Quni të cilët në kohën kur LVV dhe LDK hasnin në probleme dhe mos marrëveshje për arritjen e marrëveshjes së bashkëqeverisjes, nëpërmjet fotografive të shoqëruar me kafe, dërgonin “selam” subjekteve të tyre në nivel qendror për të marrë shembullin e tyre të bashkëqeverisjes.

Por duket që Myta zgjodhi që nëpërmjet një letre të shkruar të njoftonte LDK-në dhe Anton Qunin për të ndërprerë partneritetin pas 2 vite e gjysmë qeverisje, për të rrugëtuar i vetëm drejt fundit të mandatit të tij.

Aktakuza dhe përballja me organet e Drejtësisë

Përpos akuzave në distancë nga Haskuka ndaj punës së Prokurorisë dhe Gjykatës, përballja me këto institucionet për drejtorët e tij do të fillonte në një nivel tjetër, në bankën e të akuzuarve “sy më sy”.

Kur Prokuroria e Prizrenit ngriti aktakuzë ndaj ish drejtorit të Financave për keqpërdorim të detyrës zyrtare, reagimet që kërkonin shkarkimin e drejtorit me aktakuzë ishin të shumta, madje edhe Ambasada e ShBA-së i doli në përkrahje shoqërisë civile në kërkesat e tyre për “qeverisje me duar të pastërta”.

Por ajo që fillimisht ishte e pazakontë shumë shpejt filloi të bëhej e zakonshme.

Prokuroria filloi pareshtur të hetonte punën e drejtorive të Komunës, kallëzimet penale filluan të shtoheshin, dhe nuk vonuan shumë filluan edhe aktakuzat për vepra penale të keqpërdorimit të zyrtarëve dhe jo vetëm ndaj drejtorëve por edhe ndaj zyrtarëve tjerë të Komunës nën qeverisjen e Hasukës.

“Ky është rast tendencioz. Prokuroria po mundohet ta pastrojë qeverisjen e kaluar. Prokurorët dalin në rolin e avokatit të kompanive private. Drejtorët tanë po analizohen me mikroskop”.

Këto ishin akuzat e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka, në adresë të organeve të drejtësisë në Prizren, e në veçanti Prokurorisë.

Kur numri i drejtorëve me aktakuza u rrit në pesë, duket që Haskuka humb interesimin për t`u marrë më këtë çështje dhe filloi të injoronte thirrjet e shoqërisë civile dhe kritikat në qytetin e Prizrenit për shkarkimin e drejtorëve dhe zyrtarët me aktakuza.

Haskuka nuk ka ngurruar të tregoj “dorë të hekurt” ndaj zyrtarëve që janë shërbyes civil, duke i suspenduar nga detyra si udhëheqësi i zyrës ligjore Arben Krasniqi, i cili është në procedurë hetimore dhe ende nuk ka aktakuzë ndaj tij, por Myta ka përdorur standard të dyfishtë duke mos e suspenduar nda detyra shefin e zyrës së Prokurimit Isa Osmankaj, i cili ka aktakuzë për zbatimin e kundërligjshëm të kontratës, dhe është në procedura gjyqësore, por ka vazhduar detyrën e tij “pa therrë në këmbë” dhe njëkohësisht vazhdon të nënshkruajë kontrata në emër të Komunës së Prizrenit dhe zhvillon proceduat e prokurimit.

Përballje dhe akuza të shumta kishte Haskuka me kompaninë “ABI” me pronar Irfan Fushën, mirëpo duket që Komuna e udhëhequr nga Haskuka ka gjetur gjuhë të përbashkët me këtë kompani nëpërmjet tenderëve.

Komuna e udhëhequr nga Myta në një procedurë pa konkurrencë i ka “dhuruar” një tender prej 30 mijë euro kompanisë “ABI” me pronar Irfan Fushën, ndërkohë drejtori i inspektoratit Islam Thaqi dhe pesë zyrtarë tjerë po përballen me akuza për rrënimin e aneks objektit pa leje të kësaj kompanie.

“Këtu fillojnë intervenimet dhe në shesh del e gjithë kapja e shtetit nga klanet mafioze. Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala në konferencën e datës 22 Korrik, tre ditë pas rrënimit të objekti pa leje, Kryeprokurori luan rolin e avokatit të kompanisë private dhe injoron aktvendimet legjitime të Komunës së Prizrenit”, kishte deklaruar Haskuka, lidhur me rastin e shumëpërfolur “Abi Çarshia”.

Nga pesë drejtorët me aktakua tashmë në detyrë mbesin vetëm dy, Levnet Kasëmi dhe Islam Thaqi, ndërsa të tjerët të shkarkuar ose të dorëhequr, edhe pse të ndarë nga politika do t`i bashkon banka e të akuzuarit në Gjykatë.

Nga thënia “Me Mytën e mysin korrupsionin” në fillim të mandatit, duket që “Myta ecën vet” të jetë thënia me të cilën Mytaher Haskuka do të përmbyll mandatin e tij në Komunën e Prizrenit, për të tentuar edhe për një mandat tjetër, ndoshta?