Gjykimi ndaj ish-drejtorëve në Prizren, Prokuroria kërkon dënimin e tyre

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar dënimin ish-zyrtarëve komunalë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës.

Të përfshirë në aktakuzë janë Levent Kasëmi, ish-drejtor i Shërbimeve Publike; Fejzë Kabashi, ish-drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale; Refik Shaqiri, ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit; Ganimete Babuna, ish-asambliste e Kuvendit Komunal të Prizrenit, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta.

Ata po gjykohen se në cilësi të anëtarëve të komisionit kanë dhënë në shfrytëzim dhe këmbim pronën e paluajtshme të komunës duke shkelur kriterin e ankandit publik.

Prokurori Mehdi Sefa ka kërkuar që të akuzuarit e lartpërmendur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Prokuroria argumentoi se të akuzuarit si anëtarë të komisionit, me dashje kanë shkelur kriterin e ankandit publik për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit.

“Duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ata kanë mundësuar përfitimin e ofertueses F.B., e cila ka ofruar çmimin më të ulët. Kështu është dëmtuar Alber Doçi, por gjithashtu është dëmtuar edhe Komuna e Prizrenit” – deklaroi Sefa.

Megjithëse trupi gjykues nuk ka lejuar një ekspertizë financiare për të përcaktuar dëmin konkret ndaj Komunës, prokurori Sefa ka argumentuar se Komuna e Prizrenit është dëmtuar për katër vjet.

Albert Doçi, i dëmtuari në këtë rast, dhe përfaqësuesja e Komunës së Prizrenit, Florentina Çoçaj, kanë mbështetur deklarimet e prokurorit dhe kanë paraqitur kërkesë pasurore-juridike.

Në anën tjetër, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kanë hedhur dyshime mbi akuzën e prokurorisë dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Asman Hoxha, mbrojtësi i Levent Kasemit, ka theksuar se klienti i tij ka zbatuar ligjin dhe procedurën.

“Nga e gjithë kjo aktakuzë vërehet se organi i Prokurorisë sikur të ishte në nivel të kryerjes së detyrës sipas nenit 71 të Ligjit mbi Prokurorinë, kjo lëndë nuk do të duhej të ishte në Gjykatë sepse një praktikë e tillë e kemi në po këtë prokurori në një çështje penale ku kjo prokurori këtë rast e ka referuar në AA”-tha avokati Hoxha.

Avokati Hoxha theksoi gjithashtu se në këtë çështje nuk ka shkelje të kriterit të ankandit publik, pasi është vlerësuar me pikë maksimale.

Betim Kadolli, mbrojtësi i të akuzuarit Fejzë Kabashi, cilësoi akuzën e Prokurorisë të pabazuar dhe kërkoi lirimin e klientit të tij.

Ai argumentoi se nuk ka prova të mjaftueshme për të provuar që klienti ka kryer veprën penale me qëllim përfitimin e tij ose të ndonjë personi tjetër.

Amer Alija, mbrojtësi i Refik Shaqirit, theksoi se mungon elementi i dashjes në veprimet e klientit të tij. Sipas avokatit, Komuna në këtë rast nuk mund të konsiderohet si palë e dëmtuar.

Vigan Rogova, mbrojtësi i Ares Shportës, deklaroi se pretendimet e prokurorit nuk janë të mbështetura me prova.

Brahim Sopa, mbrojtësi i të akuzuarës Ganimete Babuna, argumentoi se komisioni për vlerësim ka qenë kompetent dhe ka përmbushur detyrat. Ai kërkoi që Babuna të lirohet për mungesë të provave.

Të gjithë të akuzuarit mbështetën fjalën e mbrojtësve të tyre dhe kërkuan nga Gjykata të shqiptohet një aktgjykim lirues.

Vendimi për këtë rast do të shpallet më datë 24 tetor 2023.

Rasti po drejtohet nga trupi gjykues me kryetare Teuta Krusha dhe anëtarët Luan Berisha e Vjollca Buzhala.

Më 29 nëntor 2019, nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasëmi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna u akuzuan se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doçi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doçi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja F. B., nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1.