DOKUMENT - Kurti i përgjigjet Kushtetueses për kërkesën e deputetëve të pakicës serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama- Hajrizi, një letër-përgjigje në kërkesën e parashtruar nga 11 deputetë të Kuvendit të Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.

Sipas komunikatës së Kryeministrisë, Qeveria e Kosovës, në komentet e saj, konsideron se duhet referuar dispozitave kushtetuese të cilat përcaktojnë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë dhe atyre që garantojnë të drejtat e pakicave për përfaqësim në kuadër të saj, me qëllim që të vlerësohet nëse vendimi i kontestuar është nxjerrë sipas procedurës së paraparë me Kushtetutë dhe nëse i njëjti është për nga përmbajtja në përputhje me Kushtetutën.

Po ashtu, Qeveria rithekson se përfaqësuesit e pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës janë konsultuar dhe propozimi i tyre është marrë parasysh në lidhje me emërimin e ministrit që përfaqëson komunitetin serb në Qeverinë e Kosovës.

“Në këtë rast, Qeveria e Kosovës në argumentet e saj, konsideron se përfaqësimi i garantuar nga Kushtetuta e Kosovës për përfaqësuesit e pakicës serbe është respektuar me rastin e zgjedhjes së Qeverisë, rrjedhimisht, zgjedhja e saj është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në letrën e saj, Qeveria e Kosovës kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të nxjerrë aktgjykim me të cilin e shpall kërkesën të pranueshmetë konstatojë se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës  për zgjedhjen e Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të refuzojë kërkesën për vendosjen e masave të përkohshme.

Në fund, Qeveria e Kosovës konsideron se kjo çështje nuk ka asnjë paqartësi, andaj kërkesa për mbajtjen e seancës dëgjimore nuk është e justifikuar dhe se e njëjta duhet të refuzohet.

29 mars, Lista Serbe ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një ankesë pas zgjedhjes së Qeverisë së re të cilës i prin Albin Kurti. Siç ka njoftuar kjo parti, ankesa është bërë meqë konsiderojnë se komunitetit serb nuk iu dhanë dy poste ministrore, por vetëm një.

Në lëndën që Lista Serbe e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, dërgues ka qenë edhe deputeti Adem Hoxha nga komuniteti goran. Ai ka votuar në seancën për zgjedhjen e presidentit duke mundësuar kështu kuorumin e nevojshëm.

Në këtë link mund ta lexoni të plotë letrën e Albin Kurtit.