Lista Serbe ankohet në Kushtetuese pasi nuk mori dy ministri në qeverinë Kurti 2

Lista Serbe sot ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një ankesë pas zgjedhjes së qeverisë së re të cilës i prinë Albin Kurti.

Siç ka njoftuar kjo parti, ankesa është bërë meqë konsiderojnë se komunitetit serb nuk iu dhanë dy poste ministrore, por vetëm një.

“Sot, Lista Serbe paraqiti një apel në Gjykatën Kushtetuese në emër të dhjetë deputetëve të Listës Serbe dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane, në mënyrë që të mbrojë interesat e popullit serb. Apeli sfidon vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë në Prishtinë më 22 mars 2021, në të cilën vetëm një ministri iu dha popullit serb për ta menaxhuar, megjithëse sipas Kushtetutës, kishte një detyrim për të caktuar dy”, thuhet në njoftim.

Kjo parti pret që ankesa e saj të pranohet.

“Theksojmë se vendimi për të mohuar përfaqësimin e drejtë të serbëve në institucione në nivelin qendror, është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore. Theksojmë se nuk na duhen pozicione ministrore për hir të atyre pozicioneve, por si një mjet me të cilin përmirësohen kushtet në të cilat jetojnë njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në njoftim.

Neni 96 i Kushtetuës së Kosovës ku flet për ministritë dhe përfaqësimin e komiteteve në ekzekutivin e vendit, thotë: “Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.