Dita Botërore e Gruas Rurale, Ministri Peci: 7.2 milionë euro, në programin e granteve të vitit 2022 janë përfituese femrat

 

Dita Botërore e Gruas Rurale, e cila ka për synim njohjen e kontributit të grave nga zonat rurale dhe promovimin e barazisë gjinore në sektorin e bujqësisë, u shënua sot në Prishtinë me panairin ku gratë e zonave të ndryshme të vendit ekspozuan produktet e tyre bujqësore.

Sa i përket kushteve të punës të grave pjesëmarrëse në këtë panair, duke qenë se shumica e tyre janë ndërmarrëse, Ilmije Bytyqi tregon se për shkak të mungesës së hapësirës, detyrohet që prodhimet e ndryshme bujqësore t’i përgatisë në njërën prej dhomave të shtëpisë së saj, duke qenë se ka edhe ndërmarrjen e saj të përbashkët me gjithsej 52 gra të tjera.

Ajo ishte përfituese edhe e një granti nga Ministria e Bujqësisë për renovimin e një hapësire për të punuar, por që siç thotë ajo, për shkak të pozitës së objektit në të cilin ka dashur t’a rinovojë, nuk ka arritur ta marrë shumën e caktuar nga granti i përfituar nga Ministria.

“Jam dalë fituese dhe nuk ma kanë pranu”, është shprehur ajo.

Ndërsa disa prej grave të tjera pjesëmarrëse, shprehen se mbështetjen më të madhe, në fakt, e gëzojnë më shumë nga komunat prej ku ato ushtrojnë veprimtaritë e tyre bujqësore.

Në panairin e organizuar nga organizata EcoKosWomen, ministri i Bujqësisë Faton Peci u shpreh se përfitueset më të mëdha të granteve për vitin e kaluar, ishin gratë.

“Në kuadër të programit për grante të vitit 2022, ne kemi një rekord të përkrahjes për femrat dhe në këtë rast mund të ndajë me ju shifrën e konsiderueshme 7.2 milionë euro  në programin e grandeve të vitit 2022, janë përfituese femrat”, tha ai.

15 tetori, shënon Ditën Botërore të Gruas Rurale, e cila është shpallur si ditë zyrtare në vitin 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.