'Diagnostikimi' i vështirë i Spitalit të Prishtinës
Në kohën kur Arben Vitia kishte kandiduar për kryetar të kryeqytetit, pjesë të fushatës së tij zgjedhore e kishte pasur edhe funksionalizimin e një spitali të qytetit.
“Spitali i qytetit do të funksionalizohet brenda mandatit. Më shumë kujdes për qytetarët tanë e më pak tollovi në QKUK” – kishte thënë Vitia në vitin 2021.
Tani si ministër i Shëndetësisë, pasi që humbi zgjedhjet në nivel lokal, Vitia thotë se për të ndërtuar një spital të Prishtinës duhet bërë një studim fizibiliteti dhe analizë e thuktë se a ka nevojë për një spital të tillë.
Në një konferencë për media, ai sot tha se po bëhet një studim fizibiliteti për të përcaktuar se sa është numri i shtretërve spitalor që nevojitet në Kosovë.
Sipas tij kjo nuk mund të bëhet pa një analizë të thuktë në disa aspekte, nëse ka nevojë, për sa shtretër ka nevojë, për cilat shërbime ka nevojë.
“Nuk mund të themi se do të bëjmë një spital të Prishtinës i cili vetëm do të replikonte probleme të cilat gjenden në Qendrën Klinike Universitare pa e pas një analizë të thuktë në këtë raport” – tha ai.
Ministri shtoi se sapo rekomandimet e një raporti që ka dalë edhe nga Komisioni për Shëndetësi do të jenë finale, ai do të flasë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama dhe do ta njoftojë publikun lidhur me këtë.
“Do të ju njoftojmë publikisht nëse ka nevojë për një spital të tillë e para, nëse ka nevojë cilat shërbime duhet të ofrohen, çdoherë në plotësim me QKUK-në sepse kjo është edhe arsyeja e idesë së ndërtimit të këtij spitali” – u shpreh Vitia.
Ideja e këtij projekti, sipas Vitisë është që të shkarkohet QKUK-ja dhe qytetarëve t`u jepen shërbime më cilësore. Ai përmendi edhe aspektin e kost-efektivitetit.
“Nëse distribuimi i shërbimeve dhe i personelit shëndetësor nuk është në nivelin e duhur për të arritur në përfundimin se kemi nevojë domosdoshmërisht për një spital të tillë, atëherë natyrisht se përveç pjesës shëndetësore është edhe pjesa kost-efekive për racionalizimin edhe të infrastrukturës por edhe të resurseve njerëzore” – përfundoi Vitia.
Në qershor të vitit të kaluar, Përparim Rama bashkë me ish-ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe përfaqësues tjerë kishin shpalosur projektin për Spitalin e Përgjithshëm të kryeqytetit.
Në këtë tryezë ishte shpalosur ‘Projekti i Fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës’, të realizuar nga Kompania ICME.
Komuna e Prishtinës me anë të Ligjit për Kryeqytetin i miratuar në vitin 2018, ka të drejtë të ketë Spitalin e qytetit si dhe Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.