Dhunë në familje në Prizren, policia i gjen armë dhe municion të dyshuarit - FOTO

Një pushkë automatike AK-47, një armë simulantive me gaz, 5 karikatorë të armës 702 plumba i janë sekuestruar një të dyshuari për dhunë në familje, në Prizren.

Policia e Kosovës i ka gjetur ato gjatë kontrollit në banesën e tij, pasi që të dielën, gruaja e të dyshuarit e ka raportuar atë për dhunë fizike.

“Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me viktimën e cila ka deklaruar se me burrin e saj ka mosmarrëveshje të vazhdueshme, para dy tre ditësh ka pasur edhe dhunë fizike të ushtruar ndaj saj, kjo është dëshmuar edhe nga shenjat në trup dhe fotografitë” – njofton policia.

Me urdhër të prokurorit në prani të avokatit mbrojtës është kryer kontrolli në banesën e të dyshuarit.

Në dhomën e gjumit, siç thotë policia janë gjetur edhe dy shkopinj bejsbolli dhe dy stilolapsa kamere USB, të cilat janë konfiskuar si prova materiale nga njësiti i krim teknikës.

I dyshuari ka deklaruar se të gjitha armët dhe municioni janë në pronësi të babit të tij.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Rasti është nën hetime.