Dhuna në familje, pesë raste raportohen në Polici brenda një dite

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit.

Në Prishtinë një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje kae ushtruar dhunë psikike ndaj saj.

Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit rasti është në procedurë të rregullt.

Po në Prishtinë një grua tjetër ka raportuar se bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje ka  ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj saj.

Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit edhe ky rast tani është në procedurë të rregullt.

Ndërsa një burrë është arrestuar nën dyshimin që i njëjti në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe kishte kanosur bashkëshorten e tij.

Sipas njoftimit, me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e të dyshuarit ku është gjetur dhe konfiskuar një revole me 26 fishekë.

I dyshuari është dërguar në mbajtje.

E në Istog, siç njofton Policia, një burrë dhe një grua, qift bashkëshortor pas një mosmarrëveshje janë përleshur mes vete.

Në njoftim thuhet se të dyshuarit i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore njëri-tjetrit dhe janë  dërguar në tretman mjekësor.

Policia tutje ka njoftuar se me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Klinë një i mitur është shoqëruar në stacion policor nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje ka ushtruar dhunë fizike ndaj  nënës dhe motrës së tij të mitur.

Sipas Policisë, pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.