BIRN Kosova dhe organizata të shoqërisë civile formojnë Koalicionin Kosovar kundër Dezinformimit
Me anë të një deklarate të përbashkët BIRN Kosova dhe organizatat e shoqërisë civile krijuan Koalicionin Kosovar Kundër Dezinformimit me qëllim të luftimit të propagandës dhe dezinformimit.
Qëllimi i këtij koalicioni është avokimi dhe mbështetja e iniciativave që rrisin vetëdijen dhe ndërtojnë kapacitetin e shoqërisë kosovare për t’u marrë me dezinformimin, dhe për të krijuar një kulturë në të cilën vendimet bazohen në informacione të sakta dhe të plota.
Koalicioni përbëhet nga BIRN Kosova, Internews Kosova, D4D, Democracy +, KoSSev, Graçanica Online dhe OJQ Roma in Action.
Drejtoresha ekzekutive e BIRN në Kosovë, Jeta Xharra, tha se koalicioni do të veprojë si një “vaksinë kundër dezinformimit” që shpërndahet përmes kanaleve të ndryshme.
“Koalicioni i krijuar sot synon të funksionojë si një lloj vaksine kundër virusit të dezinformimit, propagandës dhe të pavërtetës që përhapet shumë shpejt dhe në kaq shumë kanale informative që ekzistojnë sot, përfshirë edhe rrjetet sociale” – tha Xharra.
Xharra shtoi se deri tani është punuar me anëtarët për të rënë dakord për parimet e koalicionit, duke përfshirë shumë gjuhë, jo vetëm atë të shumicës.
“Me këta anëtarë deri më tani kemi punuar së bashku për të rënë dakord për parimet e këtij koalicioni në mënyrë që kjo aleancë të funksionojë në të gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë shumë gjuhë të Kosovës, jo vetëm gjuhën e shumicës. Nëse ata që shpërndajnë dezinformata janë të organizuar, ne nga ana tjetër duhet të bëhemi të organizuar dhe strategjikë për të ndaluar përhapjen e dezinformatave dhe kjo nuk bëhet vetëm, por së bashku” – ka thënë Xharra.
Xharra tutje deklaroi se Kosova sot është ndër vendet me lirinë më të mirë të shprehjes në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa redaktori i Kallxo.com, Kreshnik Gashi, u shpreh se janë mbledhur për t’u dhënë një mesazh të qartë prodhuesve të lajmeve të rreme.
“Jemi mbledhur për t’u dhënë një mesazh të qartë prodhuesve të lajmeve të rreme, t’u tregojmë se e kemi vullnetin dhe guximin t’u dalim përballë. Sot shtatë organizata të shoqërisë civile me shumë profesionistë janë mbledhur për të nisur një luftë të përbashkët”-tha ai.
Sipas tij, Kosova është ndër vendet më të rrezikuara nga lajmet e rreme pasi Qeveria nuk ka ende ndonjë strategji se si t’i qaset edukimit mediatik.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, tha se mediat e kanë obligim të na japin të vërtetën neve si konsumues të lajmeve.
“Secili ka të drejtë t’i thuhet e vërteta, mediat kanë obligim të na tregojnë këtë. Ne si konsumues që jemi në anën tjetër. Ky kaolicion është koncept i mrekullueshëm”- u shpreh ai.
Tatjana Lazareviq nga portali KoSSev, tha se pret që ky koalicion të vendosë drejtësi, paanshmëri dhe saktësi.
“Pritja ime është të ndajmë së bashku vlerat e Deklaratës; janë fjalë për mua, që do të thotë, fjalë me kuptim; Pres që ne të ushtrojmë profesionin tonë, jo t’i shërbejmë politikës. Pres që ne të përhapim drejtësi, paanshmëri, saktësi; për të rritur potencialet e komunitetit tonë profesional dhe shkrim-leximit mediatik, por edhe pritshmëritë dhe fuqinë e publikut tonë” – tha ajo.
Kjo nismë synon të bëhet një platformë që kanalizon dhe shfrytëzon energjinë e shoqërisë civile, medias dhe profesionistëve që ndajnë vlera të përbashkëta në luftën kundër dezinformimit, duke përfshirë arsimin, kërkimin, gazetarinë profesionale, verifikimin e fakteve, raportimin e saktë, monitorimin dhe të tjera.