Detaje nga policia: Çka u gjet gjatë aksionit në Karacevë - FOTO

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aksion në zonën e Karaçevës ku ka arrestuar dy persona, ndërsa ka konfiskuar një mori provash të cilat do të përdoren për procedurën e mëtejmë hetimore.

Sipas njoftimit të policisë së rajonit të Gjilanit, dy të arrestuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Tutje policia njoftoi se janë konfiskuar 96 aparate të lojërave të fatit, katër shtëpiza kompjuterike.

Tre llaptop, tre monitor, dy televizorë që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë së bashku me 17 fishekë, një gjenerator, si dhe 469,15 euro të gjetura në aparatet e lojërave të fatit.

Pistoleta e konfiskuar: Foto: Policia e Kosovës

Të gjitha aparatet dhe një gjenerator sipas procedurave të parapara iu janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshme.

Në vendngjarje në fshatin Karaqevë, Inspeksioni Komunal i Komunës së Dardanës ka asistuar Policinë e Kosovës në rrënimin e tri objekteve të cilat janë ndërtuar pa leje në të cilat kanë qenë duke u ushtruar veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Policia ka njoftuar se një objekt tjetër, është mbyllur dhe shirituar nga Inspeksioni Komunal, Dardanë.

Rrënimi i objektit ku zhvilloheshin lojrat e fatit, Foto: Policia e Kosoves

Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim të personave tjerë si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së tre persona janë në arrati. Të njëjtit ishin arrestuar edhe në aksionin e kaluar i cili ndodhi në shtator të vitit të kaluar dhe një tjetër në fillim të këtij viti pikërisht për të njëjtat vepra penale.

Gjithashtu tre të kërkuarit janë pjesë e aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurores Rozelida Manastiri të cilën e ka dërguar në gjykatë javë më parë.

Tre të arratisurit janë pjesë e aktakuzës në rastin e ‘Karaçevës’